Lajme

Arrestohet 16-vjeçari në Malishevë, përdori armën në ahengun familjar

08/11/2022 09:28
nga:Astrit Gashi

Patrulla në Malishevë, derisa ishin duke patrulluar në fshatin Carrallukë kishin dëgjuar disa të shtëna me armë zjarri.

Pas identifikimit të lokacionit ku kishte ndodhur rasti është arritur të arrestohet i dyshuari B.H., 16-vjeçar i cili dyshohet të ketë shtënë me armë zjarri në një aheng familjar.

Sipas Policisë, në cilësinë e provave materiale është sekuestruar një pistoletë e tipit ZORAKI M906-B, një karikator dhe dy gëzhoja fisheku të kalibrit 7.65.

“Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit me vendimin e të cilit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e PK-së.

“Ndaj tij është iniciuar rast për vepër penale ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’”, tha Policia të mërkurën.