Lajme

Hoti fajëson Qeverinë për krizën energjetike: Kaotike, zgjidhja ishte gazi – u refuzua

08/10/2022 14:01
nga:G B

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka pranuar të martën një Aplikim për Shqyrtim të Jashtëzakonshëm të të Hyrave të Lejuara Maksimale për Furnizuesin me Shërbim Universal, KESCO.

Kërkesa e KESCO-s është arsyetuar me mungesën e mossubvencionimit të zotuar nga Qeveria e Kosovës.

Lidhur me këtë, për Gazeta Blic ka folur ish kryeministri i Kosovës, njëherësh deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.

Ai thotë se problemi nga ana e Qeverisë është kaotik dhe problemi afatgjatë me energjinë nuk mund të zgjidhet me bateri.

“Problemi është se menaxhimi i sektorit të energjisë në përgjithësi, dhe i krizës energjetike në veçanti, nga ana e Qeverisë është kaotik, pa asnjë orientim për adresim adekuat as të krizës aktuale, e as për qartësim të zgjidhjes afatgjate. Problemi afatgjatë energjetik nuk zgjidhet me bateria, pasi bateritë ndihmojnë vetëm në stabilitetin e sistemit energjetik”, vlerëson Hoti.

Sipas tij, alternativa ka qenë gazi por që është injoruar nga qeveria.

“Furnizimi afatgjatë sigurohet me ndërtim të kapaciteteve të reja me gaz ose me qymyr. Alternativa me gaz ka qenë e gatshme, por fatkeqësisht u injorua për motivacione që i dinë ata që e injoruan këtë alternativë”, thotë deputeti.

Hoti shton se emergjenca në dimrin e kaluar kur ishte tepër vonë për të intervenuar, në kulmin e krizës, ndërsa sivjet është miratuar një vendin që nuk ka asnjë masë konkrete.

“Në dimrin e kaluar, emergjenca energjetike u shpall në fund të dhjetorit, kur ishte kulmi i krizës dhe ishte tepër vonë për të intervenuar. Ndërkaq, sivjet u miratua një vendim, por ai vendim nuk përmban asnjë masë konkrete, përveç punëve të rregullta që duhet të kryejë KEK-u pavarësisht këtij vendimi dhe thirrjet për kursim të energjisë”, thekson Avdullah Hoti për Gazeta Blic.

Ai thotë se kompanitë kryesore si KESCO, KEK dhe KOSTT janë në borxhe ndaj njëra tjetrës për shkak të mos vendimeve të duhura.

“Në mungesë të vendimeve adekuate, sot i gjithë sektori energjetik është në situatë të vështirë. Kompanitë kryesore si KESCO, KEK dhe KOSTT kanë borxhe ndaj njëra tjetrës”, deklaron Hoti./Gazeta Blic/