Furnizuesi me Shërbim Universal të rrymës në Kosovë, KESCO, i është drejtuar me një kërkesë të jashtëzakonshme bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).
KESCO, ka aplikuar për rritje të tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët që harxhojnë me pak se 800 kilovat në muaj, si dhe për konsumatorët jofamiljar, të cilit ishin liruar nga tarifat e shtrenjtuara të energjisë.
Letrën e aplikimit e ka nënshkruar drejtori gjeneral i KESCO-s, Mesut Serhat Dinç.

FSHU kërkesën e saj e bazon në mos-disbursimin e subvencionit të zotuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe situatën e krijuar në tregun e energjisë me shumicë si pasojë e rritjes enorme të çmimeve të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare.
Në aplikacionin për shqyrtim të jashtëzakonshëm, KESCO thekson se është duke operuar nën kosto, pasi që kostot e FSHU-së nuk janë duke u mbuluar përmes tarifave dhe subvencionit të lartpërmendur, si rezultat i mos-disbursimit të subvencionit nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Sipas KESCO-s, vlera e subvencionit për periudhën 9 shkurt – 30 qershor 2022 ka tejkaluar shumën prej 32.8 milion euro. Vetëm mungesa e mos-disbursimit të subvencionit tejkalon pragun e materialitetit prej 5% ashtu siç parashihet në nenin 11 të Rregullës për të Hyrat e FSHU-së.
“Nga analizat e mësipërme vërehet se efekti i mungesës së rimbursimit të subvencionit të energjisë elektrike ka ndikuar që të tejkalohet pragu i materialitetit për Furnizuesin me Shërbim Universal. Marrë parasysh pritshmërit e çmimeve të energjisë elektrike, dhe remonteve të njësive gjeneruese respektivisht rritjen e varshmërisë ndaj importit, reflektimi i saktë në përputhje me pritshmerite e tregut është i domosdoshëm për t’i reflektuar kostot në mënyrë të drejtë. Në të kundërtën, furnizuesi i vetëm nuk mund të përballoj më tej këto kosto, veçanërisht se i njëjti tashmë është afektuar dukshëm nga ngjarjet e fund-vitit 2021″, thuhet në aplikimin e KESCO-s pranë ZRRE-së.
“Si i tillë, Furnizuesi kërkon nga ZRRE-ja të merr parasysh të dhënat e paraqitura dhe se dështimi për të vlerësuar drejtë dhe sa më saktë të dhënat e paraqitura në këtë fazë mund të krijojnë probleme më të thella financiare, të cilat mund edhe të rrezikojnë sigurinë e furnizimit me energji elektrike”, thuhet në kërkesë.
ZRrE-ja, në një njoftim për media, ka thënë se do të shqyrtojë këtë kërkesë dhe do të mbajë të njoftuar publikun në lidhje me veprimet që do të ndërmerren.


