Lajme

Bllokoi 1 ton kanabis që u nis nga Shqipëria, kishte vlerë 10 mln euro – Guardia di Finanza publikon pamjet

08/09/2022 11:26
nga:N M

Një anije me vela është bllokuar nga operacioni i pasdites të së dielës nga Guardia di Finanza me një ngarkesë droge prej 10 milionë eurosh, 992 kilogramë kanabis. Dy arrestime në ujërat italiane dhe tre të tjera në zonën shqiptare ishte bilanci i operacionit.

Guardia di Finanza ka publikuar pamjet e momentit kur ka bllokuar velierën. Mediat italiane shkruajnë se ishte një operacion i vërtetë, ku u arrit bllokimi i kalimit nga Shqipëria në Salento të një ngarkese me 153 mbështjellës celofani, të përmasave të ndryshme, me lëndë narkotike dhe të ngjeshur në një anije me vela. Veliera u pikas në ujërat ndërkombëtare, rreth 13 milje larg bregdetit shqiptar, ku po bëhej shkëmbimi.

Në atë moment, u vendos koordinimi midis dhomave operacionale dhe forcave ajrore që lejoi ndalimin e tre skafeve në territorin shqiptar, nga Policia shqiptare dhe ndalimin e velierës nga autoritetet italianbe.

Në fakt, sapo u nis, anija me vela që përdorej për trafik u bllokua dhe u dërgua në seksionin operacional detar të policisë financiare të Galipolit. Kontrollet në bord bënë të mundur bllokimin e dy kapitenëve, me kombësi ukrainase, të arrestuar për ndalim dhe trafik ndërkombëtar droge, në dispozicion të prokurorit Alessandro Prontera. Ndërsa të arrestuarit shqiptarë pritet të dalin nesër për të mësuar masën e sigurisë.

Policia shqiptare në një deklaratë për mediat dje dha detaje nga operacioni ‘Syri’. Tre shqiptarët dyshohet se kanë transportuar drogën me tre skafe të vegjël drejt një veliere që i priste në det të hapur. Transporti i drogës është bërë një ditë më parë, rreth orës 15:00. Ata kanë ngarkuar drogën në velierën që i priste në thellësinë e detit jon. Droga është marrë nga 2 ukrainasit në velierë dhe kishin si destinacion Italinë, por nuk e trafikuan dot, pasi janë ndaluar nga Guardia di Finanza në ujërat e bregdetit italian. Droga ishte e ndarë në 153 pako.

Në pranga kanë rënë Arbër Saraseli, 31 vjeç, Saverjo Imeraj, 22 vjeç, Qemal Pekmezi, 19 vjeç, të cilët janë arrestuar në Vlorë. Si edhe është shpallur në kërkim Gregor Likaj, 33 vjeç. Nga Guardia di Finanzia janë arrestuar dy ukrainasit Bychkovi Serhii, 43 vjeç dhe Senkevych Serhii, 62 vjeç.

Policia ka sekuestruar tre skafet që u përdorën nga shqiptarët për të transportuar drogën drejt velierës. Skafet u gjetën në banesën e Saverjo Imeraj, ndërsa u sekuestrua edhe një sasi kanabisi, 3 aparate celulare dhe 2 automjete. Në operacion u përshinë rreth 250 forca policore, të cilat zhvilluan kontrolle dhe ndjekje nga toka, deti dhe nga ajri me helikopter të GDF-së dhe Frontex-it. Operacioni u përshëndet edhe nga ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, i cili tha se janë të vendosur për të vijuar luftën kundër narkotikëve.