Lajme

Zelensky i bën thirrje Perëndimit t’i ndalojë të gjithë udhëtarët rusë

08/09/2022 00:28
nga:Gazeta Blic

Mënyra për të ndaluar Rusinë nga aneksimi i më shumë territoreve të Ukrainës, është që vendet perëndimore të njoftojnë se do të ndalojnë të gjithë qytetarët rusë si kundërpërgjigje.

Kështu është shprehur presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në një intervistë për The Washington Post, transmeton Klankosova.tv.

Zelensky tha se “sanksionet më të rëndësishme janë mbyllja e kufijve – sepse rusët po ia marrin tokën dikujt tjetër”.

Ai potencoi se rusët duhet “të jetojnë në botën e tyre derisa të ndryshojnë filozofinë e tyre”.

Udhëheqësit rusë kanë sinjalizuar se mund të mbajnë vota aneksimi në pjesët e pushtuara të lindjes dhe jugut të Ukrainës – në rajonet Kherson dhe Zaporizhzhia – më 11 shtator, krahas zgjedhjeve rajonale të planifikuara tashmë për t’u mbajtur.

Zyrtarët rusë thonë se ato vota do të legjitimonin pretendimin e Rusisë për ato zona, por kritikët thonë se votat do të ishin një farsë e manipuluar nga Rusia.