Lajme

Takimi Kurti-Vuçiq në Bruksel/ Deputetja e LDK-së: Të diskutohet njohja reciproke, Kosova po bën hapa prapa

08/04/2022 21:23
nga:G B

Tashmë është bërë e ditur zyrtarisht se me 18 gusht do të takohen në Bruksel kryeministri Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Se ftesat i kanë pranuar të dy njoftoi zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke mos dhënë detaje për agjendën e takimit.

Lidhur me prijet nga ky takim dhe temat që duhet diskutuar, deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku Rexhepi, thotë për Gazeta Blic se duhet diskutuar njohja reciproke.

“Në Bruksel në takimin mes Kurtit e Vuqiqit duhet të diskutohet tema e njohjes reciproke dhe kjo duhet të jetë agjenda e Kosoves në bisedime. Po bëhet një dekadë bisedimesh por ato duhet të finalizohen me njohje”, vlerëson ajo.

Deputetja e LDK-së thekson se këto takime po na kthejnë pas, derisa një hap para në dialog ishte takimi i Hotit kryeministër në Shtëpinë e Bardhë.

“Takimi i ish kryeministrit Hoti në Shtëpinë e Bardhë në Uashington ishte një hap para por tani këto takime po na kthejnë mbrapa ashtu siç dëshiron Serbia”, potencon Bunjaku Rexhepi për Gazeta Blic.

Sipas saj, Kosova ka humbur mjaft kohë dhe është koha për të biseduar për njohje reciproke.

“Kosova mjaft ka humbur kohë dhe politika e Kurtit po i ndihmon në këtë situatë. Është koha të ulemi e bisedojmë për njohje reciproke”, deklaron deputetja e LDK-së Valentina Bunjaku Rexhepi./Gazeta Blic/