Me 18 gusht kryeministri Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq do të takohen në Bruksel, në kuadër të dialogut.
Kjo është konfirmuar nga Peter Stano, zëdhënës i Bashkimit Evropian.
“Mund të konfirmoj se pasi përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, ftoi të dy palët në Bruksel, kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq kanë pranuar ftesën e tij. Ata do të mirëpriten në Bruksel më 18 gusht nga Borrell dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Mirosllav Lajçak, për të diskutuar për rrugën përpara në dialogun Prishtinë-Beograd”, tha Stano.
Por, ende nuk dihet agjenda e takimit.
Ndërsa, lidhur me temat që do të duhej të diskutohen dhe pritjet nga ky takim, për Gazeta Blic ka folur zëdhënësi i AAK-së, Lulëzim Blaka.

Sipas tij, ky takim është kthim prapa dhe që fatkeqësisht në të do të diskutohet edhe reciprociteti, që është çështje e brendshme e Kosovës.
“Takimi i 18 gushtit mendoj që është kthim prapa. Fatkeqësisht, mendoj që do të diskutohet edhe tema e reciprocitetit, e cila nuk është temë për negociata, sepse është çështje e brendshme e Kosovës”, thotë ai.
Blaka për Gazeta Blic potencon se AAK beson se dialogu i vetëm produktiv është në SHBA dhe ku diskutohet njohja reciproke, e jo ku dialogu udhëhiqet nga Lajçak.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, beson se i vetmi dialog produktiv, është ai në Washington, ku duhet të diskutohet njohja reciproke. Përndryshe, nuk po shohim produktivitet e as epilog të diskutimeve të udhëhequra nga z. Lajçak, e ku pala amerikane nuk është e përfshirë”, deklaron zëdhënësi i AAK-së, Lulëzim Blaka./Gazeta Blic/


