Lajme

Dallavere në tenderin për uniformat e policisë, Krimet Ekonomike hidhen në aksion

08/03/2022 17:18
nga:G B

Policia e Kosovës ka njoftuar se hetuesit e krimeve ekonomike kanë iniciuar dy raste nën dyshimin e kryerjes së veprave penale.

Në njoftimin e PK-së shtohet se, rasti i parë ka të bëjë me tenderin e hapur nga policia për furnizimin me uniforma të policisë, ku pas hetimeve që kanë zgjatur dy muaj është ardhur deri në dyshimin se tre operator ekonomik kanë kryer veprën “keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik”.

“Rasti i parë: Pas tenderit të hapur nga policia për furnizim me uniforma të policisë, ku kishin aplikuar disa operator ekonomik. Hetuesit policorë nga DHKEK-u, nën dyshim për përfshirje në veprën penale ‘keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’, kanë filluar hetimin që ka zgjatur afro dy muaj. Bazuar në hetimet e kryera, gjegjësisht në të gjeturat gjatë hetimit, ka ardhur deri te dyshimi se tre operator ekonomik kanë kryer veprën e lartcekur. Rasti karshi veprës penale ‘keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’ është iniciuar, janë siguruar dëshmi që së bashku me kallëzimin penal do të dërgohen në prokurori”, thuhet nga PK-ja.

Ndërsa rasti i dytë, lidhet me atë që hetuesit policor kanë pranuar një informatë se në një barnatore në Prishtinë shiten barna pa banderola, kësisoj pas kontrollit që policia ka kryer, pronari i barnatores është shoqëruar në polici.

“Rasti i dytë: Hetuesit policorë nga DHKEK-u, kanë pranuar një informatë se në një barnatore në Prishtinë shiten barna pa banderola të Republikës së Kosovës. Policia në bashkëpunim me Inspektoratin Farmaceutik kanë kryer kontroll në këtë barnatore. Pronari i barnatores është shoqëruar në polici dhe i njëjti është intervistuar. Rasti i iniciuar është trajtuar në koordinim me prokuroren kujdestare dhe me aktvendim nga ana e saj rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt”, shtohet në njoftimin e PK-së.