Sporti

Gjeraj: Ballkani mund të kualifikohet në ‘Play-off’, trajneri Daja e njeh rrugën e grupeve

08/03/2022 16:13
nga:Mergim Rreci

Ballkani e zhvillon nesër ndeshjen e parë ndaj kundërshtarit nga Ishujt Faroe, Klaksvik.

Skuadra kosovare kërkon kalimin në ‘Play-off’ të Conference League, me skuadrën e Ilir Dajës që duket shumë e përgatitur për takimin e parë.

Kampioni nga Ishujt Faroe nuk është aspak një skuadër për t’u nënvlerësuar, madje ka eliminuar edhe skuadra si Sutjeska, që është kampion i Malit të Zi.

Ish futbollisti dhe opinionisti kosovar, Robert Gjeraj tha për ‘GazetaBlic Sport’ se pret një paraqitje të mirë të skuadrës kosovare dhe se beson se mund të kalojë në ‘Play-off’.

“Mendoj se duke parë në dy xhirot e para që luajtën, sidomos në ndeshjen e parë kundër Zalgiris në Prishtinë, që luajtën shumë mirë, por u eliminuan, futbollistët mësuan nga gabimet e tyre, sepse pashë që Zalgiris është shumë i fortë dhe eliminoi madje edhe Malmon, kurse me pak fat skuadra kosovare mund të kalonte tutje. Klaksvik është kundërshtar më i dobët për mendimin tim dhe këtu besoj që Ballkani do ta kalojë këtë raund dhe do të kaulifikohet në play-off. Pse jo të shkojnë edhe në grupe, sepse Ilir Daja është një trajner që e di rrugën drejt grupeve dhe kam shumë besim se do t’ia dalin“, tha Gjeraj.

Takimi zhvillohet në ora 20:00, në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.

 

/GazetaBlic Sport/