Lajme

Caktohet 1 muaj paraburgim për shoferin e autobusit, për aksidentin me fatalitet në Podujevë

07/30/2022 15:52
nga:G B

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar një muaj paraburgim për të pandehurin F.I, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Rrezikim i trafikut publik, për aksidentin në rrugën Prishtinë-Podujevë, raporton Gazeta Blic.

Njoftimi i plotë:

Është caktuar masa e paraburgimit kundër të pandehurit F.I për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Rrezikim i trafikut publik

Gjykata Themelore në Prishtinë – Dega në Podujevë, Departamenti i Përgjithshëm Penal ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit F.I për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Rrezikim i trafikut publik nga neni 370 paragrafi 9 lidhur me paragrafin 6 dhe paragrafin 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokuroritë së Shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit F.I, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, të pandehurit i caktohet masa e paraburgimit në bazë të nenit 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe nën paragrafi 1.2 pika 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPRK-së.