Lajme

Vuçiq falënderon Spanjën: Serbia i është mirënjohëse për mbështetjen e saj

07/30/2022 07:11
nga:Astrit Gashi

Serbia i është mirënjohëse Spanjës për mbështetjen e vazhdueshme dhe pa kushte në procesin e anëtarësimit në BE, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Serbia e konsideron Spanjën një mik të madh”, shtoi ai.

Duke e falënderuar Spanjën për mosnjohjen e Pavarësisë së Kosovës dhe “respektimin e integritetit territorial të Serbisë”, Vuçiq tha se e ka njoftuar kryeministrin Sanchez për rrjedhën e dialogut që Beogradi dhe Prishtina po zhvillojnë nën lehtësimin e BE-së.

Vuçiq tha se me kryeministrin spanjoll kanë analizuar situatën në Ukrainë dhe se ia ka atij “shpjeguar qëndrimin e Serbisë”.

Beogradi zyrtar refuzon t’i bashkohet sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë.

Vuçiq tha se ai dhe Sanchez janë “të shqetësuar” dhe se “do të ishte mirë që lufta të përfundonte në mënyrë që ne të ktheheshim në jetën normale”.

Vuçiq tha se në vitin 2021, shkëmbimi tregtar mes Serbisë dhe Spanjës ishte 811 milionë euro dhe se pret që të dy vendet “për herë të parë në historinë e marrëdhënieve ekonomike të kalojnë një miliard euro shkëmbim [tregtar]”.

Presidenti serb deklaroi se në tetor në Beograd do të mbahet një forum i madh biznesi, i cili do të jetë vendtakim për biznesmenët nga Spanja dhe Serbia.

Vuçiq përmendi edhe bashkëpunimin mes dy vendeve në industrinë e mbrojtjes. Ai tha se Serbia ka blerë dy avionë transportues nga Spanja dhe se do të vazhdojë të blejë edhe pajisje tjera.

Presidenti i Serbisë tha se me kryeministrin spanjoll ka diskutuar edhe për pozicionin e Serbisë në Ballkan dhe për nismën rajonale Ballkani i Hapur, e cila përveç Serbisë përfshinë Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Vizitën e tij në Beograd, Sanchez do ta përfundojë më 30 korrik me një takim me kryetarin e Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq.

Deri më një gusht, kryeministri spanjoll do të vizitojë edhe Sarajevën, Mostarin, Podgoricën, Shkupin dhe Tiranën.

Sanchez po viziton rajonin me qëllim të “ringjalljes së procesit të zgjerimit” të BE-së në Ballkanin Perëndimor.