Lajme

Rama: Soliterat po rinovohen, do të kenë një pamje më të bukur

07/29/2022 20:48
nga:Astrit Gashi

Fondacioni i Mileniumit të Kosovës (MFK), Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe Komuna e Prishtinës, kanë nisur një projekt për rinovimin e kullave “Soliterat” në lagjen Ulpiana, me masa të efiçiencës së energjisë përmes programit të financuar nga MCC SEEK – “Subvencionet për Efiçiencë të Energjisë në Kosovë”.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se përveç se soliterët do të kenë një pamje më të bukur, izolimi termik me masa efiçiente të energjisë do të mundësojë uljen e shpenzimeve për banorët gjatë vitit dhe do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së ajrit në kryeqytet.

Sipas tij, intervenimi ka qenë i domosdoshëm për kullat ikonë të Ulpianës, ndërsa ka bërë të ditur se nga ky projekt do të përfitojnë 270 familje.

“Sot, u takuam në punishte bashkë me Drejtorin e MFK-së, Petrit Selimi, Zëvendësdrejtoreshën e MCC për Kosovë, znj. Caitlin Reichart dhe eskpertë nga MFK, për të parë nga afër procesin e punës”, ka shkruar Rama në Facebook.

Postimi i plotë:

Soliterët e Ulpianës po renovohen!

Përveç se soliterët do të kenë një pamje më të bukur, izolimi termik me masa efiçiente të energjisë do të mundësojë uljen e shpenzimeve për banorët gjatë vitit dhe do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së ajrit në Kryeqytet.

Intervenimi ka qenë i domosdoshëm për kullat ikonë të Ulpianës, dhe jam shumë i lumtur që bashkë me Millennium Foundation Kosovo jemi duke e mbështetë një projekt të tillë, nëpërmjet programit #SEEK të financuar nga Millennium Challenge Corporation – MCC, nga i cili do të përfitojnë 270 familje.

Sot, u takuam në punishte bashkë me Drejtorin e MFK-së, Petrit Selimi, Zëvendësdrejtoreshën e MCC për Kosovë, znj. Caitlin Reichart dhe eskpertë nga MFK, për të parë nga afër procesin e punës.