Lajme

Sulmohet burgu ku po mbaheshin robërit ukrainas të luftës në Donjeck, së paku 53 të vrarë

07/29/2022 14:03
nga:Astrit Gashi

Të paktën 53 persona janë vrarë, ndërsa 130 të tjerë janë plagosur, pas granatimit të burgut Jelenovka, në Republikën e vetëshpallur Popullore të Donjeckut në Ukrainë, në të cilin po mbahen të burgosurit ukrainas të luftës, tha zëvëndësministri i autoriteteve pro-ruse në Donjeck, Danil Bezsonov, i cili për këtë sulm fajësoi forcat ukrainase.

Bezsonov deklaroi në Telegram se forcat ukrainase, të cilat sipas tij kanë kryer sulmin gjatë natës, me shumë gjasa kanë përdorur raketat Himars.

“Ishte një goditje e drejtpërdrejtë në kazermën me robër lufte. Rezultati, për momentin, është 53 të vrarë dhe 130 të plagosur,” tha ai dhe paralajmëroi se këto shifra mund të rriten.

Në anën tjetër zyrtarët në Kiev mohuan akuzat e separatistëve pro-rusë, duke theksuar se ndërtesa e burgut është sulmuar nga artileria ruse.

“Forcat e armatosura të Federatës Ruse kryen një sulm artilerie në ndërtesën e burgut në vendbanimin Jelenovka në rajonin e Donetskut, ku mbaheshin të burgosurit ukrainas. Në këtë mënyrë, pushtuesit rusë u përpoqën të arrinin qëllimet e tyre kriminale – të akuzonin Ukrainën për kryerjen e krimeve të luftës dhe fshehjen e torturave dhe vrasjen e të burgosurve nga ana e tyre”, tha ushtria ukrainase në një deklaratë.
Në burgun Jelenkova po mbaheshin ushtarët ukrainas, të kapur pas rënies së Mariupolit.