Lajme

“Lojë pushteti”, Gjermania dhe Rusia përplasen për shkak të furnizimit me gaz

07/28/2022 09:55
nga:Astrit Gashi

Gjermania ka hedhur akuza në drejtim të Rusisë për shkak të reduktimit të furnizimit me gaz, duke thënë se kjo është “lojë e pushtetit” meqë Rusia arsyetohet për defekte teknike në gazsjellës.

Gjigandi energjetik rus të mërkurën reduktoi rrjedhën e gazit përmes Nord Stream 1 në 33 milionë metra kub në ditë – rreth 20% e kapacitetit total të tubacionit dhe gjysma e sasisë që Rusia i ka dërguar Gjermanisë që nga rifillimi i shërbimit javën e kaluar pas 10 ditësh të punës së mirëmbajtjes.

Ndërkohë, edhe kompania italiane e energjisë Eni tha se kompania Gazprom i kishte thënë se do të merrte “afërsisht 27 milionë metra kub” gaz natyror të mërkurën, nga rreth 34 milionë metra kub sa merrte në ditët e fundit, shkruan The Guardian.

Kompania ruse e gazit tha se kishte reduktuar dërgimin e gazit për shkak se një nga dy turbinat e fundit operuese duhej të ndalohej për shkak të një “gjendje teknike të motorit” – një argument që qeveria gjermane e hodhi poshtë si një pretekst të sajuar.

“Turbina është atje, ajo është servisuar”, tha zëdhënësja e qeverisë në Berlin Christiane Hoffmann, duke iu referuar një turbine që Rusia e kishte përmendur më parë si një arsye për dërgesat e reduktuara.

“Në këtë moment, kontratat e furnizimit nuk po respektohen. Ajo që ne po shohim është me të vërtetë lojë pushteti dhe ne nuk do t’i lejojmë vetes të impresionohemi nga kjo”.

Nga ana tjetër, një zëdhënës i Kremlinit ka bërë fajtore mungesën e furnizimit për shkak të sanksioneve europiane.

“Kapacitetet e pompimit teknik janë të pakësuara, më të kufizuara. Pse? Sepse procesi i mirëmbajtjes së pajisjeve teknike është bërë jashtëzakonisht i vështirë nga sanksionet e vendosura nga Europa”, tha Dmitry Peskov.

“Gazprom ishte dhe mbetet një garantues i besueshëm i detyrimeve të tij… por nuk mund të garantojë pompimin e gazit nëse pajisjet e importuara nuk mund të mirëmbahen për shkak të sanksioneve evropiane”.