Lajme

“Kurti ka pasur nevojë për mbështetjen e Osmanit në SHBA”

07/27/2022 19:03
nga:Q R

Njohësi i integrimeve evropiane, Shqiprim Pula, tha se kryeministri Albin Kurti, ka pasur nevojë për mbështetjen e presidentes, Vjosa Osmanit në SHBA.

Prandaj sipas tij, në takimin e Kurtit me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, Osmani mund të ketë shkuar për mbështetje ndaj kryeministrit ose për ndonjë porosi shtesë nga Administrata Biden.

“Ka 1 vit që Albin Kurti është në pushtet dhe ai do të duhej të njihej pak më tepër në rolin e një udhëheqësi shtetëror, sepse ai njihej si opozitar prej shumë vitesh. Prandaj, ky element tek amerikanët ka shumë rëndësi, madje e shohin edhe çfarë mbështetje ka nga partneri i koalicionit. Pjesëmarrja e presidentes në këtë rast, nuk u kuptua qartë, nuk u bë me dije se në çfarë cilësie ka shkuar atje, a shkoi për mbështetje ndaj Kurtit apo që të marrë ndonjë porosi shtesë nga administrata Biden”, tha Pula.

Tutje, Pula tha se në krahasim me Kurtin, Vjosa Osmani është më e njohur për amerikanët.

“Ka edhe një arsye shtesë, Albin Kurti tani si kryeministër dhe Albin Kurti si opozitar, mjaftueshëm ka qenë i panjohur për ndërkombëtarët, specifikisht për amerikanët dhe se si duhet të jesh në kostumin e kryeministrit të vendit. Ndërsa, presidentja Vjosa Osmani është më tepër e njohur për ta dhe shkuarja e të dyve së bashku në SHBA, është plotësim i njëri tjetrit,”, tha Pula për Tëvë1.

Në njoftimin e presidencës është thënë se palët kanë diskutuar për partneritetin bilateral mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, për mbështetjen ndaj Kosovës në sektorët strategjikë, duke përfshirë ekonominë dhe mbrojtjen.