Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se janë duke bërë përgatitje që deri në fund të vitit të dorëzojnë aplikimin për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian.
Ajo ka thënë se Kosova e meriton ta ketë statusin e kandidatit në BE dhe se do të punojë intensivisht për këtë.
Lidhur me këtë, profesori nga Parisi dhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Mirsad Voca, thotë për Gazeta Blic se Kosova sikurse vendet e Ballkanit Perëndimor do të duhej tashmë të ishin vend kandidat në BE, por që nuk është bërë puna e duhur nga ana e saj.
“BE-ja është duke krijuar një momemtum të ri politik për zgjerim, që buron nga rrethanat aktuale gjeopolitike në Evropë. Edhe Kosova sikurse vendet tjera të Ballkanit Perëndimor do të duhej të ishte tashmë një vend kandidat i BE-së. Tjetër gjë është fakti se nuk është bërë puna e duhur në këtë drejtim, sidomos nga BE.
“BE-ja operon procedura gjithëpërfshirëse të miratimit që sigurojnë pranimin e anëtarëve të rinj vetëm kur ata mund të demonstrojnë se do të jenë në gjendje të luajnë plotësisht rolin e tyre si anëtarë në tri shtylla të cilat janë : përputhje me të gjitha standardet dhe rregullat e BE-së, pajtueshmëri të institucioneve të BE-së dhe shteteve anëtare të BE-së, si dhe duke pasur pëlqimin e qytetarëve të tyre – përmes miratimit në parlamentet e tyre kombëtare ose me referendum. Kosova do mund të has në problem vetëm sa i përket shtyllës së dytë meqë pesë vende anëtare të BE-së ende nuk e kanë njohur Kosovën”, thotë ai.

Voca shpjegon se çdo vend evropian mund të aplikojë pasi kështu thotë Traktati i BE-së dhe vlerëson se Kosova i ka potësuar ato.
“Traktati për Bashkimin Evropian thotë se çdo vend evropian mund të aplikojë për anëtarësim nëse respekton vlerat demokratike të BE-së dhe është i përkushtuar për t’i promovuar ato.
Besoj se Kosova ka plotësuar kriteret e Kopenhagës, ka përqafuar vlerat e BE-së dhe ka aspiratë të lartë për t’i ngritur edhe më lart ato vlera”, shprehet njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare për Gazeta Blic.
Sipas tij, nuk është e pamundur që Kosova ta fitojë statusin e vendit kandidat në BE.
“Nuk është e pamundshme që Kosova të fitojë statusin e vendit kandidat i BE-së këtë vit sepse kjo do të ishte një përfitim i dyanshëm politik, duke konsideruar se sa më afër BE-ja ndaj Ballkanit Perëndimor, aq më pak do të lejohet hapësirë për paqartësi dhe tension në rajon. Rajoni i Ballkanit Perëndimor ka stagnuar në rrugëtimin e tij drejt BE-së dhe është lënë anash sidomos për shkak të Serbisë, e cila përbën nyjën kryesore të problemit si vend me potencial destabilizues meqë është vetëm pjesërisht e orientuar kah fryma demokratike perëndimore. Nga ky këndvështrim, gabimisht i është dhënë një hapësirë e vazhdueshme Politikës serbe resistente ndaj ndryshimeve dhe realiteteve të përqafuara nga bota perëndimore”, thekson Voca.
Ai përmend rastin e Serbisë, teksa thotë se kjo dëshmon ledhatimin e Serbisë nga BE, ndërsa shton se Kosova nuk ka konflikt me asnjë shtet dhe se ka përmbushur, respektuar dhe punon çdo ditë për të ngritur edhe më lart vlerat e BE-së.
“Ani pse Serbia trashëgon një politikë të viteve të 90-ta, asaj i është mundësuar të jetë vend kandidat. Ky fakt tregon qartë ledhatimin që i është bërë Serbisë nga BE. Serbia po ashtu përmes Republikës serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë, mban në tension këtë të fundit dhe ka shprehur intencë për shkëputje nga ky shtet të entitetit serb. Pastaj, Serbia nuk e njeh ende Kosovën e cila ligjërisht figuron si pjesë e saj në Kushtetutën serbe dhe ka intencë të ngjashme për shkëputje teritoriale edhe në Kosovë duke përdorur, propaganduar dhe manipuluar me minoritetin serb në Kosovë. Është më se primitive të ushqehen ende politika për apetite teritoriale siç vepron Shteti aktual serb. Kosova nuk është në konflikt me asnjë shtet dhe ka përmbushur, respektuar dhe punon çdo ditë për të ngritur edhe më lart vlerat e BE-së. Lirisht mund të thuhet se tashmë Kosova gjendet ndoshta në pozitë edhe më të kënaqshme se disa prej vendeve apo rajoneve të shteteve anëtare të BE-së”, shton profesori për Gazeta Blic.
Voca e sheh të paarsyeshme dhe të njëanshme që Kosova të mos ketë statusin e vendit kandidat dhe një trajtim i tillë është inkurajim për Serbinë që të vazhdojë me tensionet dhe destabilizimit.
“Prandaj, është e pakuptueshme, e paarsyeshme, dhe e njëanshme që Kosova të mos këtë statusin e njejtë sikurse vendet tjera të rajonit. Për më tepër, një trajtim i njëanshëm si i Kosovës dhe Bosnjës nga BE, do të jetë inkurajim i vazhdueshëm për Serbinë për të vazhduar me shkopin e tensionimit dhe destabilizimit duke shpresuar se do të fitojë ndonjë pjesë territori në një të ardhme të afërt, varësisht nga përforcimi apo jo i pozitës ruse në sferën e marrëdhënieve ndërkombëtare”, deklaron Mirsad Voca./Gazeta Blic/


