Lajme

Kosova synon statusin kandidat në BE, deputetja e LDK-së: Proces i domosdoshëm, por nevojitet fushatë intensive

07/26/2022 14:11
nga:G B

Kosova vazhdimisht synon anëtarësimin në familjen evropiane.

E në fund të këtij viti, Kosova do të aplikojë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, raporton Gazeta Blic.

Kështu ka bërë të ditur ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e cila tha se Kosova i plotëson të gjitha parakushtet për një kandidaturë të tillë, por se janë duke pritur momentin e përshtatshëm për ta dorëzuar aplikimin.

“Sa i përket aplikimit për statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian, mendojmë se Kosova i plotëson të gjitha kushtet për këtë dhe do të presim deri në fund të vitit për të zgjedhur momentin e përshtatshëm, për ta dorëzuar aplikimin”, tha Gërvalla në një konferencë për media.

Lidhur me këtë, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, njëherësh kryetare e Komisionit për Integrime, thotë për Gazeta Blic se ky aplikim është i domosdoshëm por që atij duhet t’i parapraijë një fushatë intensive, për të marrë mbështetje nga vendet e BE-së.

“Aplikimi për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian është një proces i domosdoshëm për Republikën e Kosovës. Por, këtij procesi duhet t’i paraprijë një fushatë intensive në arenën ndërkombëtare për të garantuar mbështetjen e vendeve të BE-së, që ka munguar deri më tani”, vlerëson ajo.

Deputetja Krasniqi thekson për Gazeta Blic se ka stagnim të njohjeve dhe aplikimeve në organizata ndërkombëtare, teksa shpreson që ky proces të mos mbetet vetëm në aspektin deklarativ.

“Kosova ka stagnuar në proceset integruese, kemi zero njohje të reja dhe asnjë aplikim për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, çka do të faktorizonte vendin më shumë. Gjithsesi, mbresim me shpresën se ky proces mos të mbetet vetëm në aspektin deklarativ, siç ka ndodhur deri më tani me shumë çështje tjera”, deklaron Rrezarta Krasniqi./Gazeta Blic/