Për shkak se kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Mentor Bajraktari mungoi për shkaqe shëndetësore, është shtyrë seanca e së hënës ndaj gjykatësit Sali Berisha, i cili po akuzohet për marrjen e 2 mijë euro ryshfet dhe posedimin pa leje të revoles me dhjetë fishekë.
Një gjë të tillë, e ka konfirmuar anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Lutfi Shala.
Gjykatësi Shala tha se kryetari i trupit gjykues ka njoftuar se gjendet në trajtim mjekësor.
Seancat e radhës lidhur me këtë çështje penale u caktuan të mbahen më 7 shtator, 5 dhe 6 tetor të këtij viti.
Ndryshe, shqyrtimi fillestar dhe ai i dytë ishin mbajtur nga gjykatësi Arben Hoti, i cili kishte vendosur për kundërshtimet e mbrojtjes, mirëpo pas kthimit të rastit në rivendosje nga Gjykata e Apelit dhe pas caktimit të gjykatësit Hoti si u.d i kryetarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, lëndën e ka trashëguar gjykatësi Mentor Bajraktari, i cili më pas kishte vendosur sërish sipas udhëzimeve të Apelit.
Sipas aktakuzës së ngritur më 5 shkurt 2020, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, i pandehuri Sali Berisha, gjyqtar në Departamentin për Krime të rënda në Gjykatën Themelore të Pejës, akuzohet se në mënyrë të drejtpërdrejtë kishte kërkuar dhe kishte pranuar përfitim në mënyrë që të veprojë në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare.
Siç thuhet në aktakuzë, më 19 shtator 2019, i pandehuri Berisha ishte takuar me dëshmitarin F.Z, prej të cilit kishte pranuar shumën prej 2 mijë euro, e të cilët ishin dakorduar që në një rast ku për dy vepra penale “kontrabandimi me migrantë” ishte i akuzuar vëllai i dëshmitarit F.Z, i pandehuri Berisha, si kryetar i trupit gjykues, të shqiptojë dënim të favorshëm, ku për këto vepra kishte shpallur dënim prej tre viteve, me kusht që brenda dy viteve të mos kryejë vepër tjetër penale.
Për këtë, ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “Marrja e ryshfetit” sipas nenit 421, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në 12 vjet.
Përpos kësaj, gjykatësi Berisha, është duke u akuzuar se deri më 19 shtator 2019, ka mbajtur pa leje një revole të tipit “Zaza Mini”, të kalibrit 8 mm, së bashku edhe me 10 fishekë, e cila i ishte sekuestruar me rastin e bastisjes në banesën e tij në Pejë.
Ndryshe, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në një mbledhje të jashtëzakonshme, më 20 shtator 2019, e kishte pezulluar gjykatësin Sali Berisha, pas arrestimit të tij, nën dyshimin për përfshirje në vepra penale të korrupsionit. /BetimipërDrejtësi
Propozohet që seanca konstituive e Kuvendit të Serbisë të mbahet në Kosovë


