Lajme

Drejtori i Klinikës së Ortopedisë në ShSKUK dënohet me 600 euro gjobë për mosraportim të pasurisë

07/22/2022 14:31
nga:Genita C

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 600 euro gjobë me dy këste, drejtorin e Klinikës së Ortopedisë në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), Lulëzim Geci, për mosraportim të pasurisë.

Shpallja e aktgjykimit është bërë të premten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, nga gjykatësi Eroll Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Gashi, po ashtu ka thënë se i akuzuari Geci obligohet të paguajë shpenzimet gjyqesore, si dhe paushallin gjyqësor 40 euro.

Ndryshe, në seancën e mbajtur më 19 korrik 2022, Geci e kishte pranuar fajësinë, duke thënë se ka harruar ta deklarojë biznesin e gruas së tij.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 11 shkurt 2022, Agjencia kundër Korrupsionit, ka paraqitur kallëzim penal kundër të akuzuarit Lulzim Geci, për shkak të dyshimit të arsyeshëm se ka kryer veprën penale për të cilën po akuzohet. Ndërsa, Prokuroria Themelore në Prishtinë pas shqyrtimit të të dhënave në kallëzim penal, ka filluar hetimet lidhur me këtë çështje.

Tutje, në aktakuzë thuhet se në deklaratën e dhënë në polici më 23 tetor 2021, i akuzuari Geci ka deklaruar se është drejtor në Klinikën e Ortopedisë në ShSKUK dhe ka pasur obligim që ta plotësojë formularin për deklarimin e gjendjes së pasurisë për vitin 2019, në të cilën formular ka harruar ta evidentojë në formular subjektin “Fizio Center” dhe të hyrat vjetore të realizuara nga ky subjekt, pronar i të cilit ishte bashkëshortja e tij Fatime Geci.

Më pas sipas aktakuzës, i akuzuari kishte pranuar më 24 dhjetor 2020, një shkresë nga AKK, ku ishte njoftuar për mosdeklarimin e pasurisë, ndërsa i akuzuari i kishte dorëzuar brenda afatit prej 15 ditësh një shkresë AKK-së, duke kërkuar falje dhe duke e sqaruar se mospërfshirja e subjektit ishte lëshim teknik.

Me këtë, Geci akuzohej se ka kryer veprën penale “Mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 430, par.1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi