Mbrëmë barazimi i Dritës ndaj Antwerpit (0:0) në ndeshjen e fazës së dytë të kualifikimeve për Conference League ishte lajm kryesor në Kosovë dhe jo vetëm.
Mediumi kroat Index.hr ia kushtoi një shkrim special Dritës, ku shkruante se një ekip i vogël kosovar po bën surpriza në Evropë.
“Drita nga Gjilani, një qytet i vogël në Kosovë, ka prodhuar një nga surprizat më të mëdha në fillim të edicionit të Ligës së Konferencës. Në ndeshjen e parë të xhiros së dytë kualifikuese, ata luajtën 0:0 ndaj Antwerp me emra të njohur”, shkruante mbrëmë mediumi i madh kroat.
Gazetari i Index.hr, Bartul Covic ka theksuar se rezultati që ka arritur dje Drita ishte i admirueshëm, pasi skuadra e Antwerpit ka histori dhe është klub i madh.
“Portali ynë zakonisht ndjek ndeshje të rëndësishme evropiane të gjitha klubeve në rajonin e ish-Jugosllavisë, pasi audienca jonë është më e madhe se Kroacia. Rezultati i FC Dritës kundër Antwerp-it ishte sigurisht një motiv shtesë për të pasqyruar ndeshjen e tyre, pasi rezultati është shumë i admirueshëm për një klub kaq të vogël që luan kundër kundërshtarit më të njohur”, tha fillimisht Covic për “GazetaBlic Sport”.
Ai tha se nëse Drita arrin ta eliminojë Antwerpin, do të ushte arritje e madhe për futbollin kosovar.
“Nëse Drita kalon Antwerpen, jam i sigurt se do të jetë një arritje që do ta mbulojnë shumë media, përfshirë edhe tonat. Ky do të ishte një rezultat i madh për të gjithë futbollin kosovar dhe shpresoj se Drita do të mund të fitojë para tifozëve vendas”, përfundoi ai.
Kujtojmë se ndeshja e kthimit Drita – Antwerp luhet të enjtën e ardhshme nga ora 20:00 në Prishtinë, në stadiumin “Fadil Vokrri”.
/GazetaBlic Sport/


