Presidenti shqiptar Ilir Meta është pritur me ceremoni shtetërore nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në Prishtinë, në vizitën e tij të fundit zyrtare si president, raporton GazetaBlic.
Vjosa Osmani dhe Ilir Meta kanë mbajtur konferencë të përbashkët për medie, teksa Osmani e ka falënderuar për mbështetjen e dhënë, gjatë kohës kur ishte Meta në mandat.
Osmani thotë se edhe në angazhimet e ardhshme, Ilir Meta do të jetë zëri i Kosovës.
“Gjatë udhëheqjes tuaj, kemi pasur një bashkëpunim dhe një kordinim të shkëlqyeshëm gjë për të cilën dua të ju falenderuaj. Kam besimin e plotë se në angazhimin tuaj të ardhshëm, sërish do të vazhdoni të jeni zëri i Kosovës, aty ku u jepet mundësia. Kosova ka qenë dhe do të mbetet shtëpia juaj e dytë dhe jeni të mirëseardhur kurdo. Po e përfundoni mandatin por miqësia do të mbet e përhershme”, tha Osmani.


