Lajme

Delegatja serbe në KPKE: Rrëzimi i raportit të Marty-t do të ishte skandal i paparë

07/22/2022 10:16
nga:Genita C

Duke komentuar iniciativën e nisur në Kuvendin e Shqipërisë për të kundërshtuar raportin e Dick Marty-t dhe njoftimin se do t’i kërkohet nga Kuvendi Parlamentar i Këshillit të Evropës rishikimin e rezolutës për “trafikimin e organeve në Kosovë” të miratuar në vitin 2011, anëtarja e delegacionit serb Bilana Pantiq- Pila thotë se kjo nuk është rezolutë e Dick Marty-t, por se ishte raporti i tij, në bazë të të cilit KPKE ka miratuar rezolutën për tregtinë e organeve, për të cilën votuan deputetët e 47 vendeve.

“Është e qartë se ata nuk duan të përballen me krimet e tyre dhe me atë çfarë kanë bërë. Ky është një shembull i lojës së tyre politike. Vetëm Serbia nuk ka votuar për rezolutën e KPKE-së. Kjo do të thotë se gjithë ata që kanë votuar për rezolutën duhet të pështyjë atë që kanë bërë dhe të thonë: jo, nuk ishte ashtu. Para miratimit, ai raport duhej të kalonte në një procedurë të caktuar, komisione, të diskutohej…”, pretendon Pantiq Pila, transmeton Paparaci.

Sipas pretendimeve të saj, “veprime të tilla nuk tregojnë se ka gatishmëri për një politikë pajtimi dhe për gjetjen e viktimave dhe pranimin e fajit”, dhe siç thekson ajo, “kjo është çështje për KPKE-në”.

“Në fund duket se do të miratohen rezoluta që serbët vet i kanë hequr organet e tyre dhe kanë vrarë veten dhe se terroristët e UÇK-së nuk kanë bërë asgjë”, përfundon me ironi Pantiq-Pila.