Në emisionin RTK Prime, është diskutuar për rezolutën kundër raportit të Dick Martyt. Se a ka pasur më parë rishikim të rezolutave të mëhershme apo është kjo hera e parë që po ndodhë, se sa është e rëndësishme kjo rezolutë, a ka ndikim juridik miratimi i saj dhe shumëçka tjetër rreth kësaj rezolute është biseduar me mysafirët e ftuar.
Profesor Nuri Behxheti tha se kjo është rezolutë e qëlluar, por ende nuk dihen efektet juridike të saj.
“Rezolutë e qëlluar në kohë të duhur, nuk i dimë efektet juridike që mund të ketë kjo rezulutë. Por, të mos harrojmë, në vitin 2012 nëse nuk gabohem, Parlamenti i Shqipërisë bëri një ligj tepër të veçantë për sovranitetitn e Republikës së Shqipërisë, i cili u jepte të drejtë palëve të treta jashtë Republikës së Shqipërisë. Në rastin konkret për pretendimet e ngritura nga Dik Marty, kanë të drejtë policia hetimore e EULEX – it, e instaluar atëheherë në Kosovë dhe organet tjera percjellëse të bashkëpunojnë ngushtë me drejtësinë shqiptare për të parë nëse ka të gjetura eventuale brenda territorit të Shqipërisë. Pra, Shqipëria 10 vjet më heret, meqë ishte e përlyer të themi në gjuhën popullore, pra që pretendohet që në territorin e Shqipërisë kishin ndodhur ato akte monsturoze të ashtuquajtura dhe Shqipëria po aq sa ishte e atakuar Kosova dhe liderishipi politik i asaj kohe që sot gjenden në Dhomat e Specializuara duhet të bashkëpunonte ose jo, por Shqipëria aso kohe pati bërë veprimin e duhur”, tha profesor Behxheti.
Aida Dërguti, analiste politike,ka vlerësuar se kjo është një rezolutë shumë e qëlluar dhe pastron njollën e cila i ishte vënë Shqipërisë pa të drejtë. Ajo shtoi se për çështje të tilla duhet parë interesi shtetëror e jo ai politik dhe rezoluta duhet të votohet.
“Kjo është një iniciativë shumë e qëlluar, e para sepse pastron një njollë që i është vënë Shqipërisë dhe po ashtu raporti i Dik Martyt, i cili është bazë e themelimit të Gjykatës Speciale bie në ujë. Mendoj që është lajm i mirë edhe për Kosovën e edhe për Shqipërinë pavarësisht debatit që është duke u zhvilluar në Parlamentin e Shqipërisë, unë besoj që në raport me këto çështje do të duhej të kishin pjekurinë e duhur politike dhe të shohin mbi të gjitha interesat shtetërore kombëtare dhe ta votojnë këtë rezulutë”, theksoi ajo.
Avokati Skender Musa nuk është shprehur shumë optimist për efektet të cilat mund t’i prodhojë rezoluta, por edhe ai mendon se duhet aprovuar dhe pa dyshim t’i jepet dritë jeshile.
“Në aspektin ligjor Rezoluta si rezolutë nuk mund të pritet të prodhojë efekte të mëdha sa i përket gjykimit atje, mirëpo krijohet një opinion shumë pozitiv dhe nëse arrihet që të aprovohet rezoluta në Këshillin e Evropës pa asnjë dyshim jepet një dritë jeshile që mund të fillohet edhe një ndryshim i ligjit për Dhomat e Specializuara dhe të dispozitës kushtetuese me të cilën është themeluar kjo gjykatë e që për Kosovën dhe për shqiptarët në pergjithësi është shumë e padrejtë, sepse nuk ka gjykatë në krejt botën që gjykon vetem një etni” tha Musa.


