Lajme

Eksperti i ekonomisë kundërshton masat e Qeverisë: Kurtit po i pëlqen të tregojë përralla e t’i vë në gjumë qytetarët

07/21/2022 22:22
nga:G B

Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot kanë diskutuar për ngritjen e çmimeve në Kosovë dhe masave që duhet të merren.

Por, rezoluta e propozuar nga LVV për ngritjen e çmimeve nuk pati kuorumin e nevojshëm, andaj seanca u mbyll për të vazhduar një ditë tjetër.

Ndërsa, qeveria derisa dje inicioi projektligjin për produktet themelore, bëri thirrje që të miratohet sa më shpejt.

E nga ministrja Hajdari u përmend mundësia për çmim tavan apo marzhë të çmimeve.

Mirëpo, këto masa nuk po shihen të duhura nga ekspertët e ekonomisë.

Profesori dhe eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, thotë për Gazeta Blic se është kundër çmimit tava, pasi nuk përkon me ekonominë e tregut dhe i rëndon më shumë bizneset.

“Te masat e reja për produktet vlerësoj se është shumë mirë për bizneset dhe për qytetarët vetëm marzha e fitimit të aplikohet dhe ajo të rifreskohet, ndërsa jam kundër për çmimet tavan pasi e rëndojnë biznesin, nuk përkojnë me ekonominë e tregut”, thekson ai.

Kadriaj nuk e mbështet as punësimin siç po pretendon qeveria, derisa thotë se ai nuk mund të bëhet me një buton por bëhet me kërkesë dhe ofertë.

“Ndërsa për masat tjera qeveritare që po tenton dhe po vlerëson se do t’i aplikojë tek punësimi, besoj që kryeministri nuk e ka të qartë ekonominë e tregut dhe Kosovës që është e orientuar drejt ekonomisë së tregut që vepron ligji i kërkesës dhe ofertës, punësimi nuk mund të bëhet me një buton apo thjesht të përzgjedh kë të punësojë por thjesht punësimi është ai që vepron oferta dhe kërkesa në këtë drejtim dhe as në sektorin publik nuk mund të ndikojë siç po pretendon t’i përcaktojë”, thotë eksperti i ekonomisë.

Ai madje vlerëson se Kurtit po i pëlqen të tregojë tregime të bukura dhe përralla dhe me to t’i fusë në gjumë qytetarët.

“Së pari është në kundërshtim me ekonominë e tregut, është një mentalitet majtist, nuk mund të funksionojë dhe kjo nganjëherë si duket një kryeministër që i pëlqejnë tregimet dhe përrallat dhe vlerëson që qytetarët t’i fusë në gjumë përmes këtyre tregimeve të bukura por që nuk janë të realizueshme, që nëse do të krijojë mundësi për punësim duhet përmes investimeve qeveritare të krijojë mundësi që të hapet portofoli i qytetarit dhe të bëhen investime kapitale që do të ndikonin në zhvillim ekonomik dhe në mënyrë të natyrshme krijohet mundësia për punësim. Por, nëse vlerëson që përmes vendimeve arbitrare, përmes qeverisë dhe mentalitet të tyre majtist nuk do t’ia arrijë por vetëm do ta rëndojë edhe më shumë jetën e qytetarëve dhe ekonominë e vendit”, potencon ai.

Se sa do ta rëndojnë ose lehtësojnë masat ekonominë e vendit, Kadriaj për Gazeta Blic thotë se “thjesht ligji i tregut është ai që e përcakton kërkesën dhe ofertën dhe kryeministri duhet ta përcjell trendin botëror se si po tentohet të tejkalohet kriza”.

Ai mbetet i mendimit dhe investimi është mundësia e vetme për zhvillim ekonomik.

“Sa i përket masave të duhura, ne jemi përcaktuar menjëherë që investimi është alfa dhe omega e cila krijon mundësi për zhvillim ekonomik, për punësim dhe sidomos në këtë kohë të sezonit të diasporës”, deklaron Mustafë Kadriaj./Gazeta Blic/