Lajme

Kryeziu-Hyseni për krizën: Nuk mund të thuhet se Qeveria nuk po bën asgjë

07/21/2022 21:50
nga:Astrit Gashi

Deputetja nga radhët e LVV-së, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka thënë se kriza ekonomike nëpër të cilën po kalon Kosova, është lehtësuar falë veprimeve të ndërmarra nga qeveria.

“Sa i përket asaj se a jemi në krizë apo jo, unë besoj se fatkeqësisht po, sepse jemi duke u ballafaquar me një inflacion që vjen si pasojë e importit. Vendi ynë e ka një varësi të jashtëzakonshme nga importi, dhe si rezultat i kësaj, Kosova domosdoshmërish përballet me krizën globale, me të cilën shumë shtete të mëdha të botës po përballen, të cilat kanë një ekonomi shumë të zhvilluar”, tha Kryeziu-Hyseni në Klan Kosova.

Deputetja tha se nuk mund të thuhet se Qeveria Kurti nuk po bën asgjë sa i përket krizës.

“Nuk mund të thuhet se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk po bën asgjë, sepse po përkrahen kategori të ndryshme të shoqërisë sonë, në mënyrë që edhe ato kategori që ju thatë janë në buzë të humnerës (drejtuar mysafirëve), të mos hidhen në humnerë, por të paktën të tentojnë të mbrohen, dhe ta kenë të paktën një ndihmesë që të përballojnë këtë krizë. Shtresat që kanë më së shumti nevojë janë ato që kanë nevojë për përkrahje shtetërore, por unë konsideroj se ato skema janë mbështetur vazhdimisht prej skemave të ndryshme nga Ministria e Financave, fakti se ato janë mbështet mund të jetë pak, por është një ndihmesë e vogël”, u shpreh Kryeziu-Hyseni.