Lajme

“Qeveria vonë është zgjuar nga gjumi”, 3 arsyet pse projektligji për çmimet është i vonuar

07/21/2022 17:19
nga:G B

Rritja e vazhdueshme e çmimeve në të gjitha produktet po e bën edhe më të rëndë krizën ekonomike, raporton Gazeta Blic.

E duke e ditur gjendjen me çmimet, kryeministri Albin Kurti, ka iniciuar një projektligj për Mbrojtjen e Produkteve Themelore.

Ai ka thënë se ky projektligj duhet të miratohet sa më shpejt, duke pasur parasysh gjendjen me çmime.

Lidhur me këtë, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, njëherësh anëtar i Komisionit për Ekonomi, thotë për Gazeta Blic se projektligji është i mirë por i vonuar, e për këtë ka 3 arsye.

“Në shikim të parë ky Projektligj është i mirë për qytetarët, por në përbërje është shumë i vonuar. E them kështu mbi tri arsye:

E para, Qeveria Kurti po bën dy vite në pushtet dhe tani e kanë kuptuar që gjendja ekonomike dhe sociale në Kosovë është kaos.

E dyta është shumë e vonuar si iniciativë dhe Projektligj pasi qytetarët janë lodhur, bizneset e vogla dhe të mëdha kanë çaluar në punën e tyre ndërsa ekonomitë familjare në bujqësi dhe blegtori nuk gjetën përkrahjen e shtetit që një kohë të gjatë.

E treta, për ta rregulluar tregun dhe çmimet e tregut duhet të kesh çka për të rregulluar, dhe fatkeqësisht kjo mungon pasi edhe produktet bazë janë në mungesë dhe nuk ka stoqe të mjaftueshme në asnjë sektorë”, thekson Lekaj.

Deputeti vlerëson se qeveria është zgjuar vonë nga gjumi dhe është vështirë të rregullohen gjërat aq shpejt.

“Përfundimisht mendoj që Qeveria është zgjuar vonë nga gjumi për të menduar për popullin dhe është vështirë të rregullohen gjërat shpejt e thjeshtë, pasi që politikat e dobëta ekonomike e shtetërore të Qeverisë Kurti që dy vite e kanë nxjerrë nga binaret funksionimin e rregullt të shtetit të Kosovës”, deklaron deputeti i AAK-së, Pal Lekaj./Gazeta Blic/