Kryetari i të ashtuquajturit komision serb për Kosovën, Millovan Drecun, ka pretenduar se i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, të cilit i është vazhduar mandati edhe për dy vjet, duhet të deklarohet qartë se normalizimi i marrëdhënieve “nuk nënkupton njohje reciproke”.
Drecun ka deklaruar për televizionin publik serb RTS, duke komentuar deklaratën e Lajçakut se Kosova dhe Serbia duhet të vendosin se çfarë është normalizimi i marrëdhënieve, pretendon se “nuk mund të bëhet kështu” dhe shton se termi normalizim i marrëdhënieve, si dhe një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve, është një kërkesë e BE-së.
“Është pjesë përbërëse e kapitullit 35 dhe është lënë epapërcaktuar sepse dialogu që zhvillohet nën mbikëqyrjen e BE-së është në formë neutrale ndaj statusit. Kjo do të thotë se këto nuk janë bisedime mes dy shteteve dhe se rezultati përfundimtar i asaj marrëveshje nuk mund të jetë e ashtuquajtura njohje reciproke, që do të dëshironte Prishtina dhe pothuajse të gjitha këto shtete që e kanë njohur Kosovën, që ne ta njohim shtetin e rremë të Kosovës”, ka pretenduar Drecun.
Ai publikisht ka thënë se në momentin që dialogu fillon në atë drejtim, Serbia automatikisht do të largohet nga procesi, duke treguar haptas se cila palë është ajo që po e bllokon dialogun.
Dhe vazhdon: “Nëse dikush përpiqet të na thotë tani se Beogradi dhe Prishtina duhet të pajtohen se çfarë do të thotë normalizimi, atëherë nuk do të ketë marrëveshje”.
Ai gjithashtu ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po flet për atë se fillimisht duhet të arrihet njohja reciproke, e më pas të arrihet marrëveshje, për shembull, për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
“Kjo nuk është e pranueshme, Lajçak duhet të thotë qartë dhe me zë të lartë se normalizimi i marrëdhënieve nuk nënkupton njohje reciproke”, ankohet Drecun.


