Lajme

Profesori i ekonomisë kundërshton Kurtin: Projektligji i gabuar, çmimi tavan s’ka ndikim – ja si të veprohet

07/20/2022 22:08
nga:G B

Rritja e çmimeve po vazhdon në të gjitha produktet. Produktet esenciale vazhdojnë të shiten me çmime mjaft të larta, për të cilat qytetarët kanë ankesa vazhdimisht.

Se vendi është në krizë e thonë edhe ekspertë të ekonomisë.

E për shkak të çmimeve të larta, qeveria ka iniciuar Projektligjin për Mbrojtjen e Produkteve Themelore, për të cilin kryeministri Kurti ka thënë se duhet të miratohet sa më shpejt, duke pasur parasysh gjendjen e çmimeve në treg.

Për çmimet e larta ditë më parë edhe ministrja e MINT, Rozeta Hajdari, tha se do të vendoset çmim tavan, ashtu sikur për karburante.

Lidhur me projektligjin e iniciuar nga qeveria, profesori dhe eksperti i ekonomisë, Musa Limani, thotë për Gazeta Blic se çmimi maksimal e as minimal nuk mund të caktohen me ligj në treg të lirë dhe qeveria e ka plotësisht gabim këtë projektligj.

“Një gjë duhet ditur se, në ekonominë e tregut ku veprojnë në mënyrë të lirë ligjet ekonomike, përkatësisht ligji i vlerës (oferta dhe kërkesa), niveli i çmimeve as maksimal, e as minimal, nuk mund të caktohen me ligj. Andaj, Qeveria e ka plotësisht gabim inicimin e Projektligjit për Mbrojtjen e Produkteve Themelore. Ky projekt ligj nuk përkon dhe është në kundërshtim të plotë në ekonominë e tregut. Me këtë Ligj nuk mund të stabilizohet tregu, përkatësisht inflacioni”, thotë ai.

Limani vlerëson se qeveria ka bërë gabim edhe me masat e marra deri tani, të cilat thotë se nuk janë efikase për stabilizim të tregut.

“Po as me masat që Qeveria i ka marrë deri më tani për rimëkëmbje ekonomike dhe zbutjen e krizës ekonomike dhe sociale, në të cilën gjendet pjesa dërmuese e popullatës në Kosovë. Të gjitha masat e deritanishme kishin dha kanë karakter të përkohshëm dhe të njëhershëm dhe si të tilla nuk janë efikase në stabilizimin e tregut”, thekson profesori.

Sipas tij, derisa çmimet po rriten, qeveria nuk po jep mbështetjen e duhur dhe për ta stabiziluar tregun, ajo duhet të dalë me program anti-inflator dhe mbështetje me masa dhe instrumente të politikës fiskale.

“Çmimet në mënyrë permanente po rriten, e mbështetja e Qeverisë nuk është adekuate. Për ta stabilizuar tregun dhe për ta zbutur situatën kaotike sociale, Qeveria duhet të dalë me Program anti inflator dhe mbështetje me masa dhe instrumente të politikës fiskale, si të bizneseve ashtu dhe artikujve bazik jetësor”, potencon Musa Limani për Gazeta Blic.

Ai thekson se as projektligji e as masat nuk do të ndikojnë në uljen e çmimeve, e çmimi tavan nuk do të ketë ndikim as në produkte ushqimore e as në tjera produkte.

“Projektligji i propozuar dhe masat e deritanishme, nuk mund të ndikojnë në uljen e çmimeve. Çmimi tavan, jo në produktet ushqimore, por as në produktet tjera nuk mund të caktohet në ekonominë e tregut. Nëse, Qeveria vë ndonjë tavan çmimesh jashtë çmimit të tregut, atëherë diferencën në mes çmimit të tregut dhe atij tavan që caktohet me ligj, Qeveria duhet ta kompensojë. Andaj, Projektligji në fjalë, nuk ka vend në ekonominë e tregut”, deklaron profesori Limani./Gazeta Blic/