Lajme

Ridvan Berisha: Qeveria indiferente ndaj personelit mjekësor, stafi shëndetësor trajtohet me përbuzje

07/20/2022 21:05
nga:Astrit Gashi

Gazetari Ridvan Berisha, me anë të një statusi në Facebook, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, duke theksuar se “më lehtë mund të arrijmë marrëveshje me Serbinë, se sa të shohim vullnet të vendosur nga kjo Qeveri e nga ky ministër i Shëndetësisë për të bërë hapa konkret, të matshëm në këtë sektor mjaft jetik për shëndetin e popullsisë”.

“Çështja e dytë ngreh shqetësime të justifikueshme nga stafi shëndetësor për sa i takon indiferencës që e ka kjo Qeveri. Paramendoni, gjatë një dite pune, një noter arkëton mijëra euro ndërsa mjekët e stafi gjegjës tjetër shëndetësor trajtohen përfundimisht me përbuzje dhe kjo vërtetë është e papranueshme”, shkroi Berisha.

Ai më tutje theksoi se vetë shteti “po e legjitimon këtë pabarazi, efektin e së cilës po e shohim në trendet në rritje të eksodit të mjekëve, infermiereve, etj, etj”.

“Çështja e tretë ka të bëjë me vendosjen e ligjshmërisë në SSHKUK, gjithë ato raporte auditorësh për abuzim me paranë publike dhe ministri soditë sikur të ishte përfaqësues i ndonjë OJQ-je. Nuk ka masa as ndaj menaxhmentit e bordit të SSHKUK-së”, shkroi Berisha.

Në fund të postimit, Berisha ka postuar edhe një video, për të cilën tha se “tregon cilësinë e punës së mjekëve, të pavlerësuar nga ministri e Qeveria e besa edhe nga kjo shoqëri me mirënjohje të vyshkur!”.