Shkupi po vazhdon me shumë sukses paraqitjen në garat evropiane.
Skuadra shqiptare nga Maqedonia e Veriut është momentalisht në raundin e dytë kualifikues në Ligën e Kampionëve, me shumë gjasa për të kaluar tutje.
Të drejtuarit e Goce Sedloski kanë barazuar në ndeshjen e parë ndaj Dinamo Zagrebit, me takimin e parë që përfundoi me rezultat 2 me 2, rezultat ky që ofron gjasa të mira për ndeshjen e kthimit.
Mbrojtësi i kësaj skuadre, Blerton Sheji është prononcuar për ‘GazetaBlic Sport’, atje ku tha se rruga e kualifikimit është e vështirë, por jo e pamundur.
“Është e vërtetë, kemi pasur paraqitje të mira, përveç ndeshjes së kthimit në Gjibraltar. Sa i përket kualifikimit në grupet e Champions League, është shumë e vështirë, por jo e pamundur, fillimisht do të fokusohemi tek ndeshja e kthimit me Dinamon e Zagrebit, atje ku na pret një ndeshje e vështirë”, tha fillimisht Sheji.

Më pas, ai tha se ndjehet shumë krenar për mbështetjen e madhe nga të gjithë shqiptarët dhe se kjo e motivion të jap më të mirën nga vetja.
“Atmosfera në ekip është shumë e mirë. Të gjithë janë të motivuar. Duam të japim gjithçka për të arritur në grupet e kompeticioneve evropiane. Do të ishim pjesë e historisë, unë personalisht ndjehem shumë krenar kur shoh që jemi të mbështetur nga të gjithë shqiptarët, sepse jemi i vetmi klub shqiptar që garojmë në Champions League dhe kjo mbështetje më jep një arsye më shumë për të dhënë më të mirën time“, përfundoi Sheji.
/GazetaBlic Sport/


