Propozimi i Qeverisë për veteranët tashmë i është dorëzuar OVL të UÇK-së.
Kryeministri Kurti tashmë i ka përcjellë propozimin e tij me shkrim Ushtruesit të Detyrës së Kryetarit të OVL të UÇK-së, z. Klinaku.
Këtë e ka konfirmuar për Gazeta Blic, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, cili ka treguar se përmes kësaj letre, Kurti propozim që menjëherë të fillojë hartimi i një ligji të ri për vlerësimin dhe verifikimin e pjesëmarrësve të luftës.
“Në këtë letër, Kryeministri Kurti propozon që menjëherë dhe bashkërisht të fillojë hartimi i një ligji të ri, i cili e nis një proces të vlerësimit dhe verifikimit të të gjithë pjesëmarrësve të luftës çlirimtare. Hartimi i ligjit dhe procesi i verifikimit të kryhet në një kohë sa më të shpejtë. Ndërkohë, derisa të përfundojë ky proces, si mbështetje shtesë, kryeministri Kurti propozon përkrahje në punësimin e veteranëve përmes masave aktive të tregut të punës, duke subvencionuar një pjesë të pagës për një periudhë të caktuar”, thotë Kryeziu për Gazeta Blic.
Sipas tij, përmes këtij propozimi do të ketë një listë përfundimtare dhe të saktë të veteranëve, duke shtuar se alternativë mbetet zbatimi i ligjit në fuqi.
“Ne besojmë se me këtë propozim sigurohemi që të kemi një listë përfundimtare dhe të saktë të veteranëve, duke i bërë nder luftës dhe sakrificës së popullit tonë dhe duke mundësuar një trajtim të dinjitetshëm atyre që dhanë kontributin e tyre në çlirimin e vendit. Alternativë ndaj këtij propozimi të Kryeministrit Kurti mbetet zbatimi i ligjit në fuqi për kategorizimin e veteranëve, i cili në momentin e miratimit, nga çfarë kemi kuptuar në takimin e qershorit, ka pasur edhe mbështetjen e OLV të UÇK-së. Të dy alternativat do të zhvilloheshin veçmas dhe pa e penguar apo ndikuar procesin gjyqësor në zhvillim e sipër”, deklaron zëdhënësi i Qeverisë./Gazeta Blic/


