Lajme

Ish-punëtorët e fabrikës së ‘kancerit’ më në fund do të kompensohen nga shteti, me rreth 6 milionë euro

07/20/2022 17:11
nga:G B

Mbi 200 ish-punëtorë të fabrikës së Azbestit në komunën Hani i Elezit, nuk arritën të marrin nga shteti kompensimin që u takonte, pasi kishin punuar në fabrikën e ‘kancerit’. Ata vdiqën nga kanceri, e të tjerët që janë gjallë – më shumë se 400 – pritet të marrin kompensimin, por vetëm pas raportimit të vazhdueshëm të mediave.

Ferat Kuka nga Hani i Elezit dhe më shumë se 400 ish-punëtorë të tjerë të fabrikës së Azbestit në këtë komunë kufitare, apo siç njihet ‘fabrika e kancerit’, pritet të marrin kompensimin financiar nga shteti.

Vendimi për dëmshpërblim ekzistonte që nga viti 2014, por që për shkak të vonesave në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, gjithçka u vonua tej mase.

Ata edhe zyrtarisht janë njoftuar se gjatë kësaj jave, do të marrin kompensimin nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, për kompaninë ku kishin punuar të rrezikuar çdo ditë nga materialet kancerogjene.

“Jemi të kënaqur me të vërtetë. Numri i punëtorëve që do t’i marrin mjetet është 421, kështu e kam në listë”, thotë Ferat Kuka për gazetën Nacionale.

Për këtë çështje, si gazetar kisha raportuar në 2 kronika të ndara sa isha pjesë e Televizionit Publik të Kosovës.

Megjithatë, jo të gjithë e pritën ditën që t’i gëzojnë mjetet për të cilat kishin sakrifikuar. Sipas statistikave të Sindikatës, më shumë se 200 ish-punëtorë kanë vdekur nga kanceri, si pasojë e punës në Fabrikën e Azbestit.

“Më vjen shumë keq prej familjarëve që i kanë humbur më të dashurit e tyre e nuk kanë mundur ta realizojnë këtë të drejtë sa janë kanë gjallë. Më vjen shumë keq. Paratë e tyre do t’i marrin familjarët. Me vonesë, por më mirë vonë se kurrë”, shprehet Kuka më tutje.

Ish-punëtorëve të kësaj fabrike do t’iu takojnë rreth 6 milionë euro. Më saktësisht, rreth 700 euro për një vit pune në këtë fabrikë.

Të përjashtuar nga ky kompensim, do të jenë rreth 80 punëtorë që nuk i respektuan afatet pë të aplikuar.

“Probleme ligjore nuk ka, por vetëm Gjykata Kushtetutese 80 vetave ua ka refuzuar për shkak se nuk kanë aplikuar me kohë. Në bazë të letrës së avokatit të popullit që e ka dërguar në Kushtetuese që me ua njoftë këtyre të drejtë, Kushtetuesja ua ka refuzuar”, tha Ferat Kuka për Nacionalen.

“Ke dhënë një kontribut tepër të madh, kontributi yt është shpërblyer tek punëtorët. Edhe ata kanë dëshirë me të taku”, tha krejt në fund Ferat Kuka.

Fundi i pritjes – Problemet ndërmjet AKP-së dhe Gjykatës Supreme

Bejtush Isufi në gjithë këtë proces ishte avokat i shumicës së ish-punëtorëve të fabrikës së Azbestit që po e prisnin zbatimin e vendimit. Megjithatë, vonesat ndodhën për shkak të ankesave në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, të cilën AKP-ja e shfrytëzoi për të mos i ekzekutuar mjetet.

Isufi në një prononcim për gazetën Nacionale, shprehet se vonesat në trajtimin e lëndëve, kanë bërë që një pjesë e madhe e punëtorëve të humbin jetën nga kanceri, ap mundur t’i shfrytëzojnë paratë.

“Këto që paguhen tash janë vendime të vitit 2013-2014. Atëherë AKP-ja ua ka njohur të drejtën e kompensimit punëtorëve. Rreth 703 euro është për një vit përvojë në Sallonit, si rezultat i ekspozimit të rrezikut të azbestit. Problemi ka qenë tek lëndët e papërfunduara në Dhomën e Posaçme, sepse nuk mund të bëhet shpërndarja e mjeteve pa e ditur totalin e borxhit, nëse nuk i ki të gjitha mjetet psh duhet të bësh kalkulime sa t’i paguash. Këta e kanë pasur mbulesë të mirë Dhomën e Posaçme”, ka thënë Isufi për Nacionalen.

Ai e ka ndërmend që betejën ligjore ta vazhdojë. Por këtë herë, për të kërkuar dëmshpërplim të kamatës në lidhje me vonesat që kanë qenë.

“Unë besoj që do të bëjë padi edhe në gjykatë për kamatat, sepse institucionet kanë mundur të bëjnë shpërndarje të pjesshme. Nuk ka pasur mundësi pagesa e plotë, atë e di unë, që pa u vendos të gjitha lëndët nuk mund të bëhet shpërndarja e borxhit”, shprehet më tutje avokati Bejtush Isufi.

Pritja gati një dekadë për avokatin nuk ishte e lehtë. Ai thotë se punëtorët gjithëmonë kanë jetuar nën frikë, se këto mjete nuk do t’i marrin kurrë. Megjithatë, për të është me rëndësi që procesi përfundoi me kompensimin që e quan të merituar, për punëtorët.

“Pasi beteja ka qenë e madhe, jemi ndjerë sikur me qenë në fund të botës kur ligji dhe arsyeja e fakteqësia e punbëtorëve nuk kuptoheshin nuk kishte vullnet. Filluan edhe dyshime të mëdha. Edhe sot punëtorët ende dyshojnë. Ka plotë prej tyre që s’besojnë që kjo po bëhet realitet. Ka pasur plot spekulime që paret na i kanë marrë, por iu kam thënë që diçka të ngjashme nuk lejoj me ndodhë, dhe paret janë dhe vendimi ka me u realizu”, përfundon Bejtush Isufi për gazetën Nacionale.

Procedura ligjore tashmë ka përfunduar, dhe këtë javë do të përfundojë ekzekutimi i mjeteve.

Ku ishte problemi dhe pse gjithë kjo vonesë?

Fabrika e Azbestit në Hanin e Elezit kishte ekzistuar për vite me radhë. Ajo u mbyllë menjëherë pas përfundimit të luftës, me urdhër të UNMIK-ut pasi azbesti llogaritet se ka përmbajtje kancerogjene.

Në këtë fabrikë kishin punuar mbi 450 punëtorë. Ata ishin gëzuar kur në vitin 2014, Autoriteti i Likuidimeve në kuadër të AKP-së, ua kishte njohur të drejtën e kompensimit, për shkak të punës me rrezikshmëri të kancerit. Më shumë se 6 milionë euro do t’iu takonin këtyre punëtorëve. Megjithatë, për gati një dekadë, ata nuk i shfrytëzuan këto mjete.

Kjo pasi në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme kishte numër të madh ankesash. E Agjencia Kosovare e Privatizimit në anën tjetër, nuk ekzekutonte mjetet për rastet të cilat ishin përmbyllur në Supreme.

Që nga viti 2014 deri më 2022, një numër i madh punëtorësh kishin vdekur si pasojë e kancerit. Pa i shfrytëzuar mjetet të cilat iu takonin, për punën në fabrikën e cila disave do t’ua merrte edhe jetën. E ata që vuanin me këtë sëmundje, sikur rasti i Enver Livorekës, ishin pa shpresë se një ditë do t’i merrnin paratë.