Një projekt në kuadër të një mase të re të Qeverisë së Kosovës, e që është çdo i punësuar në familje do t`i subvencisonet paga deri në 70 për qind burto apo 300 euro në muaj për gjashtë muajt e ardhshëm, si duket zor se do të realizohet, shkruan Gazeta Blic.
Kurti prezanton skemën e re: Një i punësuar në çdo familje
Ideja e qeverisë së Kosovës e e prezantuar nga Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, se kushdo që nga 18 korriku punësohet në sektorin privat do të ndihmohet nga shteti, nuk po bind ato familje që nuk kanë asnjë të punësuar, për disa arsye.
Nga 18 deri te 46 vjeçarët – Hekuran Murati jep detaje për masën e re – një i punësuar në familje
GazetaBlic ka kontaktuar me drejtorët ose përgjegjësit e zyrave të punësimit në disa komuna të Kosovës të cilët kanë thënë se që nga startimi i kësaj mase, ka një numër të vogël të njerëzve që janë paraqitur pranë zyrave të tyre për të kërkuar punë.
E ky hezitim i një anëtari të familjes që nuk ka askënd të punësuar në sektorin privat, është se ata mund të humbin të drejtat nga skema sociale dhe disa benifite të tjera, që kanë familjet e papuna e siç është edhe lirimi nga pagesa e rrymës.
Abaz Xhigolli drejtor në Qendrën për Punë Sociale në Fushë Kosovë ka dhënë disa arsye për GazetaBlic se pse interesimi i njërzve për të kërkuar punë nga masa që ka prezantuar Qeveria para dy ditësh është i vogël.

Sipas tij ky është shpjegimi:
“Çdo familje që nuk e ka askënd të punësuar do të fitojë një përqindje të pagës së një punëtori, ndërkohë ka pas individ që kanë pyetur në lidhje me këtë çështje, edhe pse numri i tyre ka qenë i vogël. Ne i kemi adresuar në Agjensionin e Punësimit”, thotë ai.
Kryetari i Sindikatës së Shërbimit Civil, Mursel Zymberi, thotë se kanë pritur një numër më të madh të aplikuesve, që nuk kanë asnjë të punësuar në familje por që sipas tij po ndodh e kundërta.

“Në këtë rast, ne kemi pritur që do të ketë vërshim të kërkesave por, ndodhi e kundërta. Me këtë kemi kuptuar që nuk është se nuk ka punë por, qytetarët nuk dëshirojnë të punojnë. Përkundër që ne ju ofrojmë mundësi për t’ju ndihmuar në këtë pjesë, përsëri dëshirojnë që të mbesin pjesë e skemës sociale. Deri tani, vetëm 14 familje nga qendra e Gjilanit janë që kanë pranuar të shkojnë për të aplikuar”, thotë Zymberi.
GazetaBlic ka tentuar të marrë informacione edhe nga përgjegjësit e zyrave të punësimit në komunat tjera të Kosovës por, të njejtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Ndryshe, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati para dy ditësh në një konferencë për medie tha se në vazhdën e ndihmës që Qeveria po u jep qytetarëve është edhe punësimi i tyre.
Murati kishte deklaruar se ashtu siç e kishte prezantuar kryeministri Albin Kurti masën e re të punësimit, bizneset që janë të interesuara të punësojnë dikë nga familjet që nuk kanë asnjë të punësuar, shteti do t’i mbështetë me 70% të pagës bruto.
“Siç edhe e ka prezantuar kryeministri, gjatë fundjavës kemi një masë të re për punësimin, që bëhet fjalë për punësimin e mbajtësve të familjes, pra ato familje që nuk kanë asnjë të punësuar. Bizneset që janë të interesuar të punësojnë dikë nga familjet që nuk kanë asnjë të punësuar do t’i mbështesim me 70% të pagës bruto, pra subvencionimi do të jetë deri në 300 euro pagë, por paga mund të jetë më e lartë”, kishte deklaruar ai.
Ai kishte pohuar se në rast se një kompani i ka 10 punëtorë, nëpërmjet kësaj mase mund t’i punësojë 3 punëtorë, që duhet të jenë të regjistruar në Agjencinë e Punës.
“Punëkërkuesit për të përfituar për këtë masë duhet të jenë mbi 18 vjeç e të mos kenë të punësuar dikë në familje”, kishte thënë Hekuran Murati.
Sipas tij, personat të cilët janë kryefamiljarë apo mbajtës të familjes, duhet të aplikojnë në Agjencinë e Punës dhe të tregojnë për çfarë janë të interesuar të punojnë, njëjtë duhet të veprojnë edhe bizneset që janë të interesuar të punësojnë këta persona.
“Ne do t’i publikojmë edhe kriteret për ta aplikuar për secilën prej kategorive. Bizneset që duan të punësojnë mbajtës të familjes dhe të përfitojnë nga subvencionimi duhet të lajmërohen në zyrat e Agjencisë së Punës së Kosovës dhe të tregojnë për numrin e stafit dhe çfarë pozitash ju duhen”, tha para dy dite minsitri i Financave.
/GazetaBlic/


