Lajme

Kosovarja 20-vjeçare dënohet për nxitje të terrorizmit, kishte lidhje me atentatin e Vjenës

07/19/2022 19:52
nga:Astrit Gashi

Një grua e re 20-vjeçare nga Kosova, me shtetësi italiane, e cila ka lidhje familjare me sulmuesin e Vjenës, Kujtim F., është dënuar me tre vjet e katër muaj burgim nga gjykata e Milanos për nxitjen e terrorizmit që e ka bërë përmes internetit.

Prokuroria publike e Milanos kishte kërkuar dënim me pesë vjet burg.

Gruaja e re, e cila ka qenë një mbështetëse e vendosur e “Shtetit Islamik” (IS) për tre vjet, është arrestuar nga policia në Milano nëntorin e kaluar për aktivitete të dyshuara terroriste. Hetimi qe nisur nga një raport i inteligjencës për bashkëshortin e saj, një kosovar 21-vjeçar, me të cilin ajo ishte martuar në janar të vitit 2021 dhe i cili kishte lidhje me atentatorin vjenez.

Qindra fotografi të “ekzekutimeve të të pafeve” me prerje koke janë zbuluar në telefonat celularë të të arrestuarve, thotë policia. Gruaja e ka cilësuar veten si pjesëtare të grupit terrorist “Luanët e Ballkanit”, shkruan vienna.at.

Kosovarja, e cila i qe bashkuar grupit në moshën 16-vjeçare, kishte deklaruar në telefonata se ishte e gatshme të sakrifikonte jetën e saj për “Shtetin Islamik”.

Prokurori i Milanos, Alberto Nobili, i cili ka drejtuar hetimin kundër terrorizmit, flet për “telefonata të tmerrshme” të gruas, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, gjykata nuk e dënoi gruan për terrorizëm, por vetëm për nxitje të sulmeve terroriste.

Më 2 nëntor 2020, 20-vjeçari Kujtim F. kishte vrarë katër persona me disa armë zjarri në qendër të Vjenës dhe kishte plagosur shumë të tjerë, disa prej të cilëve, rëndë. Simpatizanti i IS-it ishte qëlluar pastaj për vdekje nga policia.