Mesfushori i Club Brugge, Charles De Ketelaere, i ka sytë vetëm te Milani, pavarësisht interesimit nga Premier League.
21-vjeçari është një objektiv për kuqezinjtë, por deri më tani nuk është bërë ndonjë përparim, përcjell GazetaBlic Sport.
La Gazzetta dello Sport raporton se dëshira e lojtarit është në masë dërrmuese për t’iu bashkuar Milanit dhe se ai po “ëndërron” për San Siro.
Megjithatë, kuqezinjtë përballen me konkurrencën nga dyshja e Premierligës, Leeds United dhe Everton, të cilët thuhet se do të ishin të gatshëm të shpenzonin më shumë për futbollistin belg.
Pavarësisht se fitoi Scudetton sezonin e kaluar, ka qenë një dritare transferimi zhgënjyese për Milanin që pa objektivin Sven Botman t’i bashkohej Newcastle United, ndërsa Renato Sanches duket se do të nënshkruajë për Paris Saint-Germain pavarësisht interesimit nga kuqezinjtë.
/GazetaBlic Sport/


