Lajme

LDK kritika Qeverisë për dialogun: Deklarata populiste, pa veprime konkrete

07/18/2022 20:49
nga:G B

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka thënë se dialogu me Serbinë nuk ka qenë kurrë më mirë.

Në raportimin e tij para Komisionit për Integrime, ai bëri thirrje që të gjithë të flenë të qetë, pasi nuk ka arsye për tu brengosur për dialogun.

“Pozita e Kosovës në procesin e dialogut s’ka qenë kurrë më mirë dhe s’ka asnjë arsye për brenga apo skepticizëm në tërësi. Muni me flejt shlirë”, tha ai ndër të tjera.

Mirëpo, e qetë për dialogun nuk është opozita, e cila kritikon qeverinë për mos transparencë për këtë çështje.

Rrezarta Krasniqi, deputete e LDK-së dhe kryetare e Komisionit për Integrime, thotë për Gazeta Blic se ka mungesë të transparencës për dialogun dhe kjo shton dyshimet për rezultatet finale.

Sipas saj, që në fillim dialogu është nisur me qasje të gabuar nga qeveria, duke mos respektuar rezolutën e Kuvendit për raporton para dhe pas çdo takimi.

“Z. Bislimi sot raportoi edhe para Komisionit për Integrime Evropiane, lidhur me çështjen e dialogut, ku paraqiti pikëpamjet e tij karshi kësaj çështje, duke thënë se do të përmbushen në plotëni objektivat shtetërore në kuadër të dialogut. Por, mungesa transparencës në këtë proces na bën të dyshojmë në rezultatet finale. Që nga fillimi është nisur me qasje të gabuar, duke mos respektuar as rezolutën e Kuvendit të Kosovës e cila obligon qeverinë para dhe pas çdo takimi të informojë Kuvendin për agjendën. Kjo nuk ka ndodhur”, vlerëson deputetja.

Sa i përket deklaratës se ‘mund të flenë të qetë’, Krasniqi thekson se kjo duhet marrë me shumë rezerva pasi janë të njohur për deklarata populiste, teksa shton se dialogu duhet të përfundojë me njohje reciproke.

“Ndërkaq tani, deklarimi se qytetarët duhet të flenë qytetarë, me pretekstin se dialogu nuk ka qenë më mirë, duhet të marrë më shumë rezerva sepse këta janë të njohur për deklarata populiste, por kanë munguar veprimet konkrete. Dialogu duhet të përfundojë me njohje reciproke, alternativë tjetër nuk ka”, deklaron Rrezarta Krasniqi./Gazeta Blic/