Lajme

“Muni me flejt shlirë”/ Opozita i përgjigjet Bislimit për dialogun: Mungesë transparence, s’dihet çfarë ndodhë në Bruksel

07/18/2022 18:41
nga:G B

“Muni me flejt shlirë”. Kjo është deklarata që e dha sot zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, për dialogun me Serbinë, i cili tha se kurrë nuk ka qenë më mirë.

Në raportimin e tij në Komisionin për Integrime Evropiane, Zhvillim e Dialog, Bislimi u shpreh se s’ka asnjë arsye për brenga e skepticizëm.

“Unë si kryenegociator kam mandat të qartë dhe atij mandati i përmbahem 100 për qind, në atë mandat s’ka asnjë lëkundje. Pozita e Kosovës në procesin e dialogut s’ka qenë kurrë më mirë dhe s’ka asnjë arsye për brenga apo skepticizëm në tërësi. Muni me flejt shlirë”, tha Bislimi para anëtarëve të komisionit.

Por, opozita mendon ndryshe nga Bislimi.

Kryetarja e Komisionit për Integrime, njëherësh deputete e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, thotë për Gazeta Blic se ka mungesë të transparencës për dialogun dhe kjo shton dyshimet për rezultatet finale.

Sipas saj, që në fillim dialogu është nisur me qasje të gabuar nga qeveria, duke mos respektuar rezolutën e Kuvendit për raporton para dhe pas çdo takimi.

“Z. Bislimi sot raportoi edhe para Komisionit për Integrime Evropiane, lidhur me çështjen e dialogut, ku paraqiti pikëpamjet e tij karshi kësaj çështje, duke thënë se do të përmbushen në plotëni objektivat shtetërore në kuadër të dialogut. Por, mungesa transparencës në këtë proces na bën të dyshojmë në rezultatet finale. Që nga fillimi është nisur me qasje të gabuar, duke mos respektuar as rezolutën e Kuvendit të Kosovës e cila obligon qeverinë para dhe pas çdo takimi të informojë Kuvendin për agjendën. Kjo nuk ka ndodhur”, vlerëson deputetja.

Sa i përket deklaratës se ‘mund të flenë të qetë’, Krasniqi thekson se kjo duhet marrë me shumë rezerva pasi janë të njohur për deklarata populiste, teksa shton se dialogu duhet të përfundojë me njohje reciproke.

“Ndërkaq tani, deklarimi se qytetarët duhet të flenë qytetarë, me pretekstin se dialogu nuk ka qenë më mirë, duhet të marrë më shumë rezerva sepse këta janë të njohur për deklarata populiste, por kanë munguar veprimet konkrete. Dialogu duhet të përfundojë me njohje reciproke, alternativë tjetër nuk ka”, deklaron Rrezarta Krasniqi për Gazeta Blic.

Ndërsa, deputetja e PDK-së, Blerta Kodra Deliu, e cila është anëtare e Komisionit për Integrime, thotë për Gazeta Blic se dialogu nuk mund të jetë më mirë derisa është ripërsëritje e marrëveshjeve të mëhershme.

Por, sipas saj, humbja e kohës e vë Kosovën në pozitë më të keqe.

“Ndër të tjera, deri tash nga dialogu kemi parë vetëm ripërsëritje të marrëveshjeve nga procesi i mëhershëm. Si qenka ky më mirë? Është njëjtë siç ka qenë. Nuk mund të quhet më mirë. Por, humbja e kohës (7 vite nga marrëveshja për energji) e vendosë Kosovën në një pozitë më të keqe”, thotë deputetja Kodra-Deliu për Gazeta Blic.

Në anën tjetër, deputetja e AAK-së, njëherësh anëtare e Komisionit për Integrime, Time Kadrijaj, thotë për Gazeta Blic se qeveria e cila njihet për mostransparencë, nuk jep informata se çka po ndodhë në Bruksel dhe kështu opozita nuk e di këtë.

Ajo thekson se VV dhe qeveria mendojnë se e kanë shkopin magjik për çdo problem.

“Edhe ju e keni parë se sa jo transparente është kjo qeveri në raport me kuvendin, komisionet dhe vet mediat. Andaj, s’kemi informata se çfarë po ndodhë në Bruksel. VV-së dhe qeverisë ende ju ka ngelur në fjalor mburrja se ata janë të pazëvendësueshëm dhe se e kanë shkopin magjik për zgjedhjen e problemeve”, potencon ajo.

Kadrijaj për Gazeta Blic shton se si opozitë janë të brengosur për dialog dhe do ta monitorojnë atë deri në fund, teksa kërkojnë që ai të përfundojë me njohje reciproke e ruajtje të  sovranitetit dhe integritetit të Kosovës dhe respektim të Kushtetutës.

“Normal se të gjithë jemi të brengosur dhe skeptik për dialogun. Andaj, ne si opozitë do ta monitorojmë këtë proces deri në përfundim. Andaj, kërkojmë që dialogu të përfundojë me njohje reciproke, ruajtje të sovranitetit dhe integritetit të Kosovës, respektim të Kushtetutës dhe organizimit të brendshëm”, deklaron deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj./Gazeta Blic/