Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, ka shqyrtuar projektligjin për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave, i cili ka gjithsej 19 amendamente.
Pas votimit ky Projektligj u procedua në komisionet e përhershme për vlerësim.
Në këtë Komision, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka kërkuar një rishikim të buxhetit për shkak të rritjes s inflacionit.
“Lidhur me rishikimin e buxhetit, kam kërkuar edhe nga ju se a do të kemi para shkuarjes në pushim një rishikim të buxhetit duke e ditur që inflacioni është gjithmonë në rritje, dhe çdo problem po ndërlidhet edhe me buxhetin e Kosovës. Unë e kam pa të arsyeshme që ne të ngrisim shqetësimin pse s’ka ardhë rishikimi i buxhetit para shkuarjes në pushim. Kërkesat e komunave është që të ketë rishikim, dhe Ministria e Financave nuk ka marrë asnjë hap”, tha ai.
Por me këtë nuk u pajtua kryetari Armend Muja.
“Është bërë një rishikim i jashtëzakonshëm dhe aty ka pas një aplikim shtesë. Sa ka qenë ministri këtu ka qenë ideja që të hapet rishikimi edhe për kodet e tjera buxhetore. E kuptoj që mund të jetë një shqetësim. Por në momentin kur ta kem të konfirmuar do ta ndaj me ju”, tha Muja.
Shqyrtimi i Raporteve të Komisioneve të Përhershme për Projektligjin nr.08/L-138 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-057 për Themelimin e Fondit për Garanci Kreditore;
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, shfaqi shqetësimin e këtij komisioni për të dalë në terren e për t’u takuar me prodhuesit vendës.
“Kisha me e ngritë një shqetësim që ne si komision ende s’kemi mundur të dalim në terren dhe t’i vizitojmë prodhuesit tanë e sidomos ata që kanë eksport më së shumti në Kosovë dhe ata presin që ne t’i vizitojmë”, tha ai.


