Bashkimi Demokratik për Integrim e ka përshëndetur nisjen e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian.
Me anë të një njoftimi të lëshuar për media thojnë se ata e konsiderojnq që Kuvendi dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut vepruan drejt, guximshëm dhe me mençuri në lidhje me propozimin e Këshillit të BE-së.
“Nesër, në Bruksel, Maqedonia e Veriut dhe Bashkimi Europian mbajnë konferencën e parë ndërqeveritare që shënon nismën e negociatave aderuese pas shumë viteve pritje për vendin dhe qytetarët tanë. Po ashtu nesër, fillon procesi i screening-ut nga Bashkimi Europian i të gjitha institucioneve tona, proces ky që do të na përafrojë edhe më tepër me standardet europiane”.
“Forcat destruktive në shërbim të agjendave të huaja vazhdojnë me mbjelljen e politikave të frikës tek qytetarët me krijimin e situatave të paqena për të krijuar tensione politike, etnike dhe të sigurisë me qëllimin e vetëm të përfitimeve partiake, por qytetarët u distancuan nga këto skenare izoluese dhe destruktive duke mos marrë pjesë në protestat anti BE”.
“Koha do ta dëshmojë se kush ka të drejtë e kush po keqpërdor të ardhmen e vendit për fushatë partiake dhe në shërbim të agjendave të huaja”, thuhet në njoftimin e BDI-së.


