Lajme

Rënia e euros ul me 3% pasurinë e shqiptarëve në banka

07/17/2022 18:52
nga:G B

Rënia e euros ka ulur me 3 % pasurinë e shqiparëve në banka. Më shumë se gjysma e depozitave në sektorin bankar shqiptar dominohen nga monedha euro.

Nëse në fillim të këtij viti kursimet në euro vlenin 68 miliardë lekë, sot vlejnë 66 miliardë lekë, 2 miliardë lekë më pak.

Për ekspertin e ekonomisë Eduart Gjokutaj, ndryshimet e kursit të këmbimit do të godasin më shumë shqiptarët që kanë të ardhurat dhe llogaritë bankare në euro dhe pagesat në monedhën kombëtare.

“Depozituesit do të jenë kategoria më e prekur nga zhvlerësimi i euros, kjo dhe për shkak të specifikave që ka ekonomia shqiptare, që dominojnë depozitat në euro. E mira do të jetë që nëse të ardhurat dhe shpenzimet janë në lekë, edhe llogaritë bankare të mbahen në të njëjtën monedhë”, tha ai.

Ekspertët thonë se një euro më e lirë nuk pritet të ketë zbutje të inflacionit të lartë për mallrat e konsumit, edhe pse shumica e importeve janë me vendet e eurozonës.

Importuesit e naftës dhe të ushqimeve mbajnë një kurs të tyre gjatë konvertimit dhe hartimit të kostove, për t’u mbrojtur nga luhatjet e tregut.

“Si importuesit edhe eksportuesit marrin masa që të mbrohen nga kursi i kmëbimit dhe mbajnë një njësi fikse të tyren. Inflacioni nuk ka për t’u zbutur për sa kohë konflikit Rusi-ukrainë dhe situata e ekonomisë globale do të vazhdojë të jetë e tensionuar”, sipas tij.

Një grup i vogël që do të përfitojnë nga rënia e euros janë turistët që do të udhëtojnë në vendet ku përdoret kjo monedhë.

“Është një grup i vogël tursitësh që shkojnë në vendet e eurozonës, pasi shumica e shqiptarëve shkojnë drejt Turqisë apo shteteve që nuk kanë këtë monedhë”, u shpreh Gjikutaj

Gjatë javës së fundit dollari amerikan ia kaloi euros në tregun e këmbimit valutor ndërkombëtar, ndërsa në kursin vendas monedha europiane ka arritur nivelin më të ulët historik 117.2 lekë dhe dollari kushton 116.7 lekë.