Në ceremoninë e organizuar nga Ambasada e Turqisë në Kosovë, në shënim të Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar të Turqisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, thuri lavde të mëdha për raportet Kosovë-Turqi.
“Kosova te Turqia shikon një shtet aleat dhe një popull mik, me të cilin kemi lidhje të ngushta historike, marrëdhënie të sinqerta dhe të dobishme në shumë plane në të tashmen”, tha kryeministri Kurti në fjalën e tij, sipas Zyrës së Kryeministrit.
Siç vijon komunikata e Zyrës së Kryeministrit, “ai shtoi se edhe për të ardhmen, populli i Kosovës dhe ai i Turqisë ndajnë perspektivën e paqes së qëndrueshme në rajonin e Ballkanit, të integrimeve në NATO dhe në Bashkimin Evropian, si edhe të zhvillimit ekonomik e social”.
Ai iu shpreh mirënjohës Erdoganit, sipas komunikatës, për mbështetjen që i ka dhënë anëtarësimit të Kosovës në NATO.


