Lajme

Hoti: Inflacioni i ka rritur të hyrat buxhetore, e Qeveria merr kredi për të rritur bilancin e saj bankar

07/15/2022 17:00
nga:Genita C

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti thotë se e vetmja masë për të zbutur krizën që ka kapluar Kosovën, është është kufizimi i çmimit të naftës, raporton GazetaBlic.

Sipas tij, me heqjen e përkohshme të akcizës dhe përgjysmim të TVSH-së në naftë, do të zbutej barra e qytetarëve.

“ÇMIMET janë rritur mesatarisht me 14%, ndërkaq vetëm për mallrat nga importi me 24%, duke ulur menjëherë fuqisë blerëse. E vetmja masë e ndërmarrë për të zbutur krizën është kufizimi i çmimit të naftës. Sikur kjo masë të përcillej me heqje të përkohshme të akcizës dhe përgjysmim të TVSH-së në naftë, siç ka propozuar LDK-ja, çmimi i naftës sot do të ishte rreth 1.30 euro për litër. Vetëm kështu kjo masë do të zbuste barrën për qytetarët. Masë tjetër që mungon është rritja e listës së mallrave me TVSH të përgjysmuar prej 8%, siç e parasheh ligji në fuqi për TVSH”, shkruan Hoti.

Hoti thotë se është paradoksale që Qeveria të krenohet me rritje të të hyrave buxhetore, kur këto të hyra janë rritur dukshëm kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve, në veçanti të çmimeve të mallrave nga importi.

“TË HYRAT BUXHETORE janë rritur dukshëm kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve, në veçanti të çmimeve të mallrave nga importi. Nisur nga fakti se rreth 2/3 e buxhetit mblidhet në kufi, atëherë është e qartë se nga ka ardhur rritja e të hyrave buxhetore. Prandaj, është paradoksale që Qeveria të krenohet me rritje të të hyrave buxhetore”, shkruan Hoti.

Hoti e quan paradoksale edhe marrëveshjen e Qeverisë për kredi në shumë prej 50 milionë euro.

Ai thotë se, nuk ka asnjë kuptim në një situatë kur të hyrat buxhetore janë rritur dhe është përmirësuar dukshëm bilanci bankar i qeverisë.

Sipas Hotit, efektive do të ishtë nëse do të ishte marrëveshje për ndonjë rrugë apo hekurudhë, për ujitje të tokave, për impiante apo projekte të tjera kapitale, që e përmirësojnë jetën e qytetarëve në afat të gjatë dhe që rrjedhimisht paguhet në afat të gjatë nga ata që e shfrytëzojnë atë të mirë publike që ndërtohet me këtë kredi.

“PARADOKSALE është marrëveshja për kredi në shumë prej rreth 50 milionë euro, që Qeveria e ka sjellë për ratifikim në Kuvend para tri dite. Kjo kredi, e cila ka për qëllim përmirësimin e bilancit bankar të qeverisë, nuk ka asnjë kuptim në një situatë kur të hyrat buxhetore janë rritur dhe është përmirësuar dukshëm bilanci bankar i qeverisë. Kjo kredi do të kishte kuptim vetëm nëse do të ishte për ndonjë rrugë apo hekurudhë, për ujitje të tokave, për impiante apo projekte të tjera kapitale, që e përmirësojnë jetën e qytetarëve në afat të gjatë dhe që rrjedhimisht paguhet në afat të gjatë nga ata që e shfrytëzojnë atë të mirë publike që ndërtohet me këtë kredi. Atë çfarë duhet të bëjë qeveria është të sjellë në Kuvend e rishikimin e buxhetit. Komunat janë bllokuar në investimet kapitale dhe kanë nevojë urgjente për mbështetje. Mungesa e shpenzimeve për investime kapitale është duke shkaktuar efekte negative zinxhirore në ekonomi”, përfundon Hoti.