Sporti

“Varvari ultras”, të flaktit që u “fiken”

07/14/2022 13:54
nga:Mergim Rreci

Llapi kërkon sot përmbysjen e madhe të rezultatit në kualifikueset e Conference League.

Skuadra kosovare humbi në ndeshjen e parë me rezultat 2 me 0 nga Buducnosti, shkruan GazetaBlic Sport.

Të drejtuarit e Tahir Batatinës janë të përgatitur maksimalisht për një rikthim të rezultatit, me takimin që zhvillohet nga ora 20:00, në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Pritet një organizim i jashtëzakonshëm i tifozëve në tribuna, me mbi 25 tifo-grupe shqiptare që e kanë konfirmuar pjesëmarrjen, kjo edhe pas ofendimeve dhe fyerjeve raciste nga tifozeria malazeze në ndeshjen e parë.

Në anën tjetër, pavarësisht provokimeve në distancë, tifozët malazezë nuk do të udhëtojnë në Kosovë, me tifo-grupin “Varvari 1987” që dukeshin të ‘flaktë’, por që u ‘fiken’ në kohën e ardhjes së tyre në vendin tonë.

Që para disa ditësh ata kishin paralajmëruar ardhjen në vendin tonë, duke publikuar një hartë ku Kosova shfaqej si pjesë e Serbisë. Ata gjithashtu kanë ndaluar edhe komentet, sikurse në një postim paraprak, ku pas komenteve të shumta nga shqiptarët në postimin e tyre te fotografitë e publikuara në ndeshjen ndaj Llapit vendosën t’i bllokojnë ato.

Megjithatë, ata nuk u mjaftuan me kaq dhe një tjetër provokim e nisen në rrjetet sociale. Një pankartë  e tyre ku thuhej “Unë po shkoj nëpër Serbi” u shfaq në Podgoricë, duke e cilësuar përsëri vendin tonë si pjesë të Serbisë.

Organizimi i madh i tifo-grupeve shqiptare siç duket ka ndikuar keq në ‘disponimin’ e tyre. Të gjitha provokimet dhe ofendimet e tyre mbetën vetëm në rrjete sociale, kjo për faktin se ata nuk dërguan kërkesë për bileta tek organizatori, KF Llapi.

Paralajmërimet e tyre se do të vijnë në numër të madh në Kosovë, mbeten vetëm fjalë boshe, ndoshta edhe deri diku të kuptueshme nga organizimi i madh dhe i frytshëm i të gjithë shqiptarëve për këtë takim.

Rrjetet sociale mund të konsiderohen sot një mundësi e mirë për tifo-grupe të tilla që nuk kanë vlerat e duhura dhe guxim brenda vetes, propaganda e tyre e turpshme dhe skandaloze mund të shpërndahet vetëm në atë mënyrë, sepse duket që ardhja në Kosovë ishte një mision i pakalueshëm për ta.