Sporti

Erik Ten Hag pyetet për situatën e Ronaldos: Asgjë nuk ka ndryshuar

07/14/2022 11:51
nga:Mergim Rreci

Erik Ten Hag ka refuzuar të japë shpjegime të mëtejshme për rastin e Cristiano Ronaldos, i cili ende nuk është paraqitur për t’u stërvitur me ekipin dhe nuk ka qenë pjesë e turit që ka kaluar tashmë nga Tajlanda dhe ka mbërritur në Australi.

Pak ditë më parë, klubi përmendi se lojtari nuk ishte paraqitur për shkak të problemeve personale/familjare dhe Ten Hag tha se po llogariste tek ai për sezonin e ri, përcjell GazetaBlic Sport.

Tani që United po përgatitet për një ndeshje kundër Melbourne Victory, trajneri holandez u pyet për dëshirën e tifozëve në këto vende për të parë lojtarin me ekipin dhe nëse ai mund të përditësojë situatën e lojtarit. “Ne kemi bërë një deklaratë më parë. Asgjë nuk ka ndryshuar”, ka thënë ai.

United do të luajë tre ndeshje në Australi: të premten kundër Victory, pastaj të martën kundër Crystal Palace dhe në Perth, ku do të luajë me Aston Villa në datën 23.

Pason një miqësore me Atlético Madrid në Oslo (Norvegji) më 30 dhe ndeshja e fundit parasezonale do të jetë në Old Trafford, kundër Rayo Vallecano, më 31 korrik. Mbetet për t’u parë nëse situata e Ronaldos do të vendoset tashmë: Premier League fillon më 7 gusht me një ndeshje në Brighton.

/GazetaBlic Sport/