Sporti

Batatina para ndeshjes: Bashkimi i shqiptarëve ka dhënë gjithmonë rezultat, do të ketë ndryshime në formacionin e Llapit

07/14/2022 10:54
nga:Mergim Rreci

Llapi kërkon sot përmbysjen e madhe të rezultatit në kualifikueset e Conference League.

Skuadra kosovare humbi në ndeshjen e parë me rezultat 2 me 0 nga Buducnosti, shkruan GazetaBlic Sport.

Të drejtuarit e Tahir Batatinës janë të përgatitur maksimalisht për një rikthim të rezultatit, me takimin që zhvillohet nga ora 20:00, në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Pritet një organizim i jashtëzakonshëm i tifozëve në tribuna, me mbi 25 tifo-grupe shqiptare që e kanë konfirmuar pjesëmarrjen, kjo edhe pas ofendimeve dhe fyerjeve raciste nga tifozeria malazeze në ndeshjen e parë.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina është prononcuar për ‘GazetaBlic Sport’ pak orë para ndeshjes, ku tha se me ndihmën e tifozëve synojnë ta përmbysin rezultatin ndaj skuadrës së Malit të Zi.

“Mendoj që sa i përket pjesës organizative gjithçka është duke shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme, duke i falënderuar të gjitha tifo-grupet shqiptare që kanë shprehur gatishmërinë për të na përkrahur. Besoj që atmosfera do të jetë e “zjarrtë” në stadium. Bashkimi i shqiptarëve ka dhënë gjithmonë rezultat, shpresoj që ashtu do të jetë edhe sonte. Ne poashtu si skuadër kemi bërë punën tonë, jemi përgatitur dhe synojmë përmbysjen e madhe të rezultatit. Do të ketë ndryshime në formacion, ndryshime në pjesën taktike dhe në skemën e lojës. Ne tashmë e njohim kundërshtarin dhe do të jetë një Llap shumë më ndryshe se ai që ishte në ndeshjen e parë”, tha Batatina.

/GazetaBlic Sport/