I akuzuari Baki Rrahmanit, ish-zyrtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale marrje ryshfeti.
Deklarimin për mos fajësinë e tij Rrahmani e bëri të martën, gjatë seancës së rigjykimit në Gjykatën Themelore në Gjilan, raporton “Betimi për Drejtësi.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Merrushe Llugiqi, i akuzuari Baki Rrahmani nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën ngarkohet nga prokuroria.
Ndërsa, deklarimin e të akuzuarit lidhur me fajësinë e tij nuk e ka kundërshtuar as mbrojtësi i tij, avokat Ahmet Gjinovci.
Para fillimit të shqyrtimit gjyqësor, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Sabedin Mushica ka njoftuar palët se mungon i dëmtuari Ali Sadrija për shkaqe shëndetësore ku i njëjti i kishte dërguar gjykatës raportin mjekësor si provë.
Tutje, shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar me fjalën hyrëse të prokurores Llugiqi, e cila tha se mbetet pranë fjalës hyrëse të dhënë në seancat e kaluara gjyqësore.
Edhe mbrojtësi i të akuzuari Baki Rrahmani, avokat Ahmet Gjinovci në fjalën hyrëse të tij tha se po ashtu në tërësi mbetet pranë fjalës hyrëse të dhënë në seancat e kaluara të shqyrtimit gjyqësor.
I akuzuari Rrahmani ka deklaruar që e mbështet fjalën hyrëset të mbrojtësit të tij.
Në këtë fazë të procedurës, prokurorja Llugiqi propozoi gjykatës që të lexohen të gjitha deklaratat e të dëmtuarit në cilësinë e dëshmitarit Ali Sadrija, ku mbrojtësi i të akuzuari Rrahmani, avokat Gjinovci nuk e ka kundërshtuar propozimin e tillë.
Tutje, pas leximit të deklaratave të dëshmitarit Ali Sadrija, avokati Gjinovci ka deklaruar që qëndron pranë propozimit të datës 28.07.2021 sa i përket dëgjimit të dëshmitarëve, gjyqtarja Lindita Jakupi dhe prokurorja e rastit ku i dëmtuari ka qenë në cilësinë e të akuzuarit.
Propozimin e tillë e ka kundërshtuar prokurorja Llugiqi me arsyetimin se deklaratat e tyre janë jo relevante për këtë çështje penale.
Gjyqtari Mushica, ka refuzuar propozimin e avokatit Gjinovci me arsyetimin se dëgjimi i dëshmitarëve të lartcekur nuk do të ndikonin në zbardhjen e çështjes penale.
Tutje, pas administrimit të provave materiale, prokurorja Llugiqi ka propozuar që në cilësinë e dëshmitarëve të dëgjohen hetuesit policor të cilët shihen në video-ngjizim.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuari Rrahmani, avokati Gjinovci ka kundërshtuar propozimin e prokurores duke, thënë se ky propozim është i panevojshëm për këtë çështje penale.
Gjyqtari Mushica, ka aprovuar propozimin e prokurores Llugiqi që si dëshmitar të dëgjohen Visar Shala dhe Selvije Hasani nën rrethanat e propozuara.
Në mungesë të kushteve ligjore është shty seanca e sotme dhe e radhës është caktuar me datë 15 shtator.
Ndryshe, Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim për herën e tretë rastin e Baki Rrahmanit, ish zyrtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i cili nga Gjykata Themelore në Gjilan, me aktgjykimin e fundit të 6 gushtit 2021, ishte shpallur fajtor për veprën penale “Marrje ryshfeti”, duke e dënuar me 7 muaj burgim dhe 500 euro gjobë.
Ndërsa, ishte liruar nga akuza për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe se nuk kishte pasur ankesë për pjesën liruese të aktgjykimit, sipas Apelit për këtë pikë vetëm është konstatuar se mbetet e pandryshuar.
Sipas aktakuzës së ngritur më 8 prill 2019, nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, Baki Rrahmani akuzohet se më 15 shkurt 2019, në brendësinë e objektit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke qenë në cilësinë e personit zyrtar, ndihmës-referent i ekzekutimeve në këtë gjykatë, me qëllim që vetes t’i sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm, ka kërkuar dhe marrë ryshfet në shumë prej 20 euro nga i dëmtuari Alji Sadrija, i cili ka qenë i akuzuar për veprën penale “rrezikim i trafikut publik”.
Sipas organit të akuzës, shumën prej 20 euro ai e ka marrë pasi që paraprakisht disa herë kishte pasur kontakte përmes telefonit me Alji Sadrijan dhe me të njëjtin janë takuar më 15 shkurt 2019 në një kafene afër QKUK-së në Prishtinë, dhe pas një bisede, i pandehuri Rrahmani ka marrë shumën prej 10 euro.
Gjithnjë sipas aktakuzës, më 21 shkurt 2019, në lokalin “Pranvera” në Podujevë, i akuzuari Rrahmani është takuar me të dëmtuarin Sadrija dhe ka marrë para ryshfet në vlerë prej 10 euro, në mënyrë që i pandehuri pasi që është person zyrtar në këtë gjykatë, të bisedojë me gjyqtaren dha ta lirojë nga akuza.
Po ashtu, sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, i akuzuari Rrahmani, më 15 shkurt 2019, gjatë orarit të punës ka keqpërdor detyrën e tij zyrtare, ashtu që me dashje dhe duke qenë plotësisht i vetëdijshëm dhe duke i kuptuar sjelljet e tij në raport me veprimin e tij të kundërligjshëm, ka marrë 20 euro nga i dëmtuari Alji Sadrija, në mënyrë të përshkruar si më lartë.
Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 428, paragrafi 1 dhe është akuzuar për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal. /BetimipëDrejtësi


