Profesori Blerim Latifi ka shkruar sot se Kosova po zbrazet sepse të rinjtë po ikin nga vendi.
Latifi shkroi në Facebook se këtyre të rinjve duhet t’u ofrohet ekonomi, ndërsa në Kosovë, sipas tij, atyre “kanë zgjedhur t’u ofrojnë fe”.
Për këtë deklaratë, ka reaguar imami Bahri Sejdiu i cili ka deklaruar se statusi i Latifit nuk është kurrfarë konstatimi.
Ai e quan fatkeqësi që Latifi është profesor universitar në Universitetin e Prishtinës, teksa shtoi se as Bashkësia Islame e Kosovës e as hoxhallarët nuk janë kundër zhvillimit të vendit.
“Kjo nuk është kurrfarë konstatimi. Për fat të keq, ai është profesor universitar, është profesor që ka paragjykime dhe paranoje kur është fjala për fe, nuk ka kurrfarë afrimi të fesë për çështje sociale në Kosovë, ose për t’ia prishë ekonominë kosovarëve, paska ndikuar feja sipas tij, ose po iu sillet rininë tonë vetëm feja si zgjedhje e jo ekonomia. Nuk është Bashkësia Islame as hoxhallarët nëpër xhamia ata të cilët kanë bërë diçka kundër punësimit të rinisë, zhvillimit të Kosovë, përkundrazi të gjitha ligjëratat tona janë me kontekst të vetëdijes kombëtare më së shumti në xhuma”, tha Sejdiu.
Mes tjerash, imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë u shpreh se profesor Latifi me qëllim i ka lënë provimet të premten në ora 13:00 në kohën kur falet xhumaja nga myslimanët, që studentët mos të kenë mundësi të shkojnë në xhami.
Sipas tij, një gjë e tillë është bërë me qëllim nga ana e Latifit, teksa e ka quajtur përpjekje të dështuar.
Madje, ai e ka ftuar profesor Latifin që ta falë xhumanë në Prishtinë, nëse ky i fundit ka kohë.
“Iu flasim njerëzve për të mirat dhe zgjedhjet e tyre dhe vendet e tyre, respektimin e mos-lëshimin e trojeve të veta. Kjo është një mendim i tij, fatkeqësisht ai e quan veten filozof, në Universitetin ku ai ligjëron, ma kanë konfirmuar në raste konkrete studentët e tij, ai ka organizuar, ka pasur fetarë në fakultetin filologjik, djemtë që e kanë falë xhumanë, me qëllim e ka organizuar provimin në ora 13:00 të premten. Kjo është bërë me qëllim, unë e di këtë punë, por nuk ia ka arrit qëllimin. Ne në Prishtinë, i falim dy xhuma, një në 2:25, për ata që nuk kanë mundësi. Mundet me ardh Blerimi nëse nuk ka kohë”, vijoi Sejdiu në një intervistë në Kanal 10.
Të hënën, analisti televiziv, Blerim Latifi deklaroi se Kosova po zbrazet.
“Që t’i mbash njerëzit në vend, duhet t’u ofrosh ekonomi. Këtu kanë zgjedhur t’u ofrojnë fe, tregime t’bukura për botën pas vdekjes.Tash rrini e shikoni, sepse s’keni parë gjë akoma!”, përfundoi Latifi.


