Lajme

Krasniqi në Pragë kërkon nga Presidenca e Çekisë futjen e Kosovës në agjendën e KE-së dhe liberalizimin e vizave

07/11/2022 13:38
nga:G B

Kryetarja e Komisionit për integrime evropiane, njëherësh deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ka marrë pjesë në takimin e Kryetarëve të Konferencës së Komisioneve Parlamentare për Çështjet e Bashkimit Evropian të Parlamenteve të BE-së (COSAC), në Pragë të Republikës së Çekisë, raporton Gazeta Blic.

Në fjalimin e saj para pjesëmarrësve në takimin e COSAC-ut, Krasniqi kërkoi nga Presidenca e Çekisë që Kosova të jetë në agjendën e Këshillit të BE-së.

Po ashtu ka bërë thirrje që të merret vendimi për liberalizimin e vizave dhe njohja e pavarësisë së Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së.

Postimi i saj i plotë:

Në cilësinë e kryetares së Komisionit për Integrim Evropian, kam marrë pjesë në takimin e Kryetarëve të Konferencës së Komisioneve Parlamentare për Çështjet e Bashkimit Evropian të Parlamenteve të BE-së (COSAC), në Pragë të Republikës së Çekisë.

Kjo Konferencë e Kryetarëve të COSAC-ut është organizuar në kuadër të dimensionit parlamentar nga Presidenca Çeke e Këshillit të Bashkimit Evropian. Konferenca e Kryetarëve të COSAC-ut mbahet në kuadër të presidencës Çeke gjatë këtyre gjashtë muajve të këtij viti dhe mbahet në një moment shumë të rëndësishëm për Kosovën dhe për Evropën në përgjithësi. Kurse temat kryesore që po zhvillohen janë kryesisht prezantimi i prioriteteve të Presidencës Çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe çështjet që kanë të bëjnë me sfidat aktuale të mediave dhe demokracisë në Evropë.

Gjatë fjalimit tim para pjesëmarrësve në takimin e COSAC-ut, kërkova nga Presidenca e Çekisë që Kosova të jetë në agjendën e Këshillit të BE-së, derisa bëra edhe thirrje që të merret vendimi për liberalizimin e vizave dhe njohja e pavarësisë së Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së.

Po ashtu gjatë zhvillimit të punimeve të takimit plenar të COSAC-ut, shfrytëzova rastin për të takuar përfaqësues të ndryshëm të parlamenteve të shteteve anëtare të BE-së, por edhe të institucioneve të BE-së.