Gjykata e Apelit e ka ndryshuar aktgjykimin e ankimuar dhe të akuzuarin Kamber Bulleshkaj, e gjykoi me 20 vite burgim, me bindje se ky dënim është në përpjesëtim me peshën e veprës së kryer penale, pasi që Gjykata Themelore në Pejë i kishte shqiptuar 17 vite dënim me burgim ndaj tij për vrasjen me 8 plumba.
Këtë aktgjykim, Apeli e ka marrë më 20 qershor 2022, duke aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Pejë, si dhe palës së dëmtuar, që të ndryshohet aktgjykimi i shkallës së parë vetëm sa i përket dënimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktgjykimit, Gjykata e Apelit të akuzuarit Kamber Bulleshkaj, për veprën penale të vrasjes, për të cilën ishte shpallur fajtor, i shqiptoi dënim me burgim në kohëzgjatje prej 20 viteve, dënim në të cilin do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
Ndërsa, pjesa tjetër e aktgjykimit mbetet e pandryshuar si dhe është refuzuar si e pabazuar ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Ramadan Shatri.
Sipas aktgjykimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Prokuroria e Pejës, për shkak të vendimit mbi sanksionin penal, me ankesë propozoi që aktgjykimi të ndryshohet, ashtu që ndaj të akuzuarit të shqiptohet dënim më i ashpër.
Ndërsa, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Gëzim Kollçaku, për shkak të vendimit mbi sanksionin penal, kishte propozuar që të aprovohet ankesa dhe të ndryshohet aktgjykimi, ashtu që ndaj të akuzuarit të shqiptohet dënim dukshëm më i lartë.
Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Bulleshkaj, avokati Ramadan Shatri, me ankesë për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetimit të gabueshëm dhe jo të plotë të gjendjes faktike, kishte propozuar që të ndryshohet aktgjykimi dhe i akuzuari të lirohet apo lënda të kthehet në rivendosje dhe rigjykim.
Tutje, Prokuroria e Apelit, kishte paraqitur parashtresën me shkrim që të aprovohet si e bazuar ankesa e Prokurorisë Themelore në Pejë, si dhe palës së dëmtuar dhe ndaj të akuzuarit të shqiptohet dënim më i lartë me brug efektiv, sesa me aktgjykimin e ankimuar, si dhe të refuzohet ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit.
Sipas aktgjykimit, Apeli kishte vlerësuar pretendimet ankimore të mbrojtësit të të akuzuarit lidhur me ankesën, për sa i përket shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, gjen se pretendimet e avokatit që aktgjykimi është marrë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nuk janë të bazuara.
Në aktgjykim thuhet se gjykata e shkallës së parë në arsyetimin e aktgjykimit të ankimuar i ka paraqitur faktet që i ka vërtetuar dhe ka dhënë arsye të qarta, logjike dhe bindëse për një vërtetim të këtillë të fakteve të cilat si të drejta i aprovoi edhe Gjykata e Apelit.
Sipas aktgjyimit, gjykata e shkallës së parë kishte vepruar në pajtim me dispozitën e nenit 370, par.6 dhe 7 të KPPK, ashtu që ka arsyetuar çdo pikë të aktgjykimit, kishte përshkuar rezultatin e procedurës provuese lidhur me faktet vendimtare dhe ka dhënë vlerësimin e duhur për provat e administruara.
Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, përfundimi i gjykatës së shkallës së parë se i akuzuari Kamber Bulleshkaj, e privoi nga jeta tani të ndjerin A.D, ishte i bazuar dhe i mbeshtetur në prova të sigurta dhe të besueshme, sepse ishin siguruar në mënyrë të ligjshme sipas procedurave të përcaktuar me KPPK dhe nga organet kompetente, ndërsa me ankesë nuk është arritur që të vihen në dyshim me ndonjë provë konkrete.
Përfundimi i gjykatës së parë se i akuzuari e privoi nga jeta tani të ndjerin A.D., del i drejtë, sepse, ashtu si i shtron pyetjet gjykata e shkallës së parë “sikur të mos ishte i përfshirë në këtë krim i akuzuari, pse atëherë interesohej përmes kushëririt të tij A.B, që të kuptoj sa më shumë për rastin, cila ishte arsyeja të interesohej si ka dëshmuar nëna e tij, pse u largua atë natë nga shtëpia, pse bëri menjëherë fasadimin e dy dhomave, pse u largua në Serbi, pse interesohej të shiste tokën, pyetje të cilat kanë vetëm një përgjigje, ikjen e tij nga përgjegjësia penale, si drejtë përfundon edhe gjykata e shkallës së parë”, thuhej në aktgjykim.
Andaj, sipas aktgjykimit, pretendimet ankimore të mbrojtësit të të akuzuarit nuk e vënë fare në dyshim përfundimin e gjykatës së shkallës së parë se tani i ndjeri A.D, ishte privuar nga jeta në sallonin e të akuzuarit Kamber, se kryerës i kësaj vepre nuk mund të ishte ndonjë person tjetër, përpos të akuzuarit sepse nga rrethanat e lartcekura të vërtetuara, u ndërlidhën me provën tjetër, xhaketën e predhës së gjetur në këndin e kanapesë, e cila rezulton të jetë e kalibrit të njëjtë me predhën e gjetur në trupin e të ndjerit.
Nga aktgjykimi thuhet se ajo rezultoi të jetë e kalibrit dhe llojit të njëjtë me predhën e gjetur në trupin e tani të ndjerit, e të cilat në bazë të mendimit të dhënë nga eksperti i balistikës, ishin shkrepur nga e njëjta armë, dhe se i ndjeri nga koha kur ishte parë vetura e tij për herë të fundit në shtëpinë e të akuzuarit, më nuk kishte pasur qasje, e po ashtu nuk ishte parë në ndonjë vend, deri në kohën kur ai ishte gjetur i pajetë.
Në bazë të këtyre rrethanave të shumta të përmendura në aktgjykimin e ankimuar, rezultuan që të jenë të drejta dhe të ligjshme përfundimet e gjykatës së shkallës së parë se i akuzuari Kamber Bulleshkaj, është kryerës i veprës penale, për të cilën u shpall fajtor sepse u vërtetua drejt dhe në mënyrë të padyshimtë se i akuzuari e ka privuar nga jeta tani të ndjerin A.D, për motive të panjohura.
Tutje, thuhet se gjykata e shkallës së parë me rastin e caktimit të llojit dhe masës së dënimit, i vlerësoi rrethanat në kuptim të nenit 73 të KPPK, dhe nuk gjeti rrethana lehtësuese për të akuzuarin, ai për asnjë moment nuk shprehi keqardhje për vdekjen e shokut të tij, por si personalitet mbante një qëndrimt të ftohtë.
Ndërsa, si rrethanë rënduese konform nenit 74, par.2, pika 2.1 dhe 2.2 të KPPK, vlerësoi shkallën e lartë të përgjegjësisë penale, bazuar në rrethanat në të cilat ishte kryer vepra penale dhe sjelljen e tij pas kryerjes së asaj vepre, ku me gjakftohësi provoji të eleminojë provat, si në shtëpi ashtu edhe në veturë, e ku arriti ta fshehë armën më të cilën u privua nga jeta tani i ndjeri, por edhe me intensitetin e lartë të rrezikimit të vlerës së mbrojtur siç është jeta e njeriut.
Vlerësimin e këtillë të rrethanave për matjen e dënimit nga gjykata e shkallës së parë, e pranoi edhe Gjykata e Apelit, por po ashtu e vlerëson se dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarit, bazuar në rrethanat e përmendura ishte i butë.
Prandaj, Apeli e ndryshoi aktgjykimin e ankimuar dhe të akuzuarin e gjykoi si në dispozitiv, me bindje se ky dënim është në përpjesëtim më peshën e veprës së kryer penale, shkallën e përgjegjësisë penale të akuzuarit si kryerës, intensitetin e rrezikimit të vlerës së mborjtur dhe se ky dënim do të jetë në shërbim të preventivës së përgjithshme, posaçërisht asaj të posaçme dhe se me këto dënime do të arrihet qëllimi i dënimit të parashikuar.
Gjykata Themelore në Pejë, më 13 dhjetor 2021, e kishte shpallur fajor dhe e kishte dënuar me 17 vite burgim, të akuzuarin Bulleshkaj për vrasjen e A.D me tetë plumba në Istog.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 10 tetor 2019, Kamber Bulleshkaj më 12 shtator 2018, rreth orës 20:25 deri më 21:15, në shtëpinë e tij në fshatin Istog i Poshtëm, pikërisht në sallonin e shtëpisë së tij, për shkak të mosmarrëveshjeve të atëçastshme, në mes të pandehurit dhe tani të ndjerit A.D, me dashje e ka privuar nga jeta këtë të fundit.
Sipas aktakuzës, A.D kishte shkuar me veturën e tipit “BMW 120” në shtëpinë e të pandehurit, me qëllim që nga i njëjti të kërkonte një armë automatike-kallashnikov, e cila synohej të përdorej në një gazmend familjar dhe që me të, të festonin në fejesën e kushëririt të tyre.
Në aktakuzë thuhet se pasi tani i ndjeri shkon në shtëpinë e të pandehurit, pas mosmarrëveshjeve mes tyre, i pandehuri nga arma automatike e llojit të panjohur shtie disa herë në drejtim të tani të ndjerit, duke e goditur me tetë predha në pjesë të ndryshme të trupit, ku si pasojë e plagëve vdes në vendin e ngjarjes.
Sipas aktakuzës, më pas Bulleshkaj me veturën e tani të ndjerit, e merr trupin e tij e dërgon tek lumi i Shushicës, ku e hedhë atë nga ura, e pastaj me veturë vazhdon në drejtim të Mitrovicës, ku në lagjen “Bair” e braktisë veturën, derisa kufoma të gjendet rreth orës 15:05, në vendin e lartcekur.
Me këtë, ai thuhet se ka kryer veprën penale të “Vrasjes”, nga neni 178 i Kodit Penal, i cili parasheh dënimin me jo më pak se pesë vjet burgim.


