Më 9 korrik, në kafeterinë ‘Loungebar Moe” të Kamenicës, ka ndodhur një rrahje mes disa personave, njëri prej të cilëve është zyrtar i Policisë së Kosovës, mëson ekskluzivisht Sinjali. Burimet brena Prokurorisë kanë bërë me dije se polici që u përfshi në këtë përleshje është F.K., ndaj të cilit tashmë kanë nisur hetimet nga Inspektorati Policor i Kosovës.
Sipas informatave të para, polici në fjalë, i cili ishte jashtë detyrës zyrtare dhe tre persona të tjerë (emra të njohur për redaksinë), janë përleshur në kafeteri me njëri-tjetrin, pas një mosmarrëveshje që nisi aty dhe eskaloi në sulm fizik.
Si pasojë e goditjeve, të dyshuarit e përfshirë në rrahje pësuan lëndime trupore, për çka u dërguan në Emergjencën e Gjilanit, për trajtim mjekësor, e më pas u shoqëruan në stacion policor.
Burimet thonë se me urdhër të Prokurorit të Shtetit dhe në koordinim me IPK-në, ndaj policit është iniciuar rasti si “lëndim i lehtë trupor” dhe i njëjti është liruar.
Për të njëjtën vepër, edhe të dyshuarit e tjerë do të hetohen nga Prokuroria Themelore në Gjilan.


